Ukraina njoftoi se rrëzoi 11 dronë rusë gjatë natës!

vovalbania January 25, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ukraina njoftoi se rrëzoi 11 dronë rusë gjatë natës!

Rreth dy vjet nga lufta në Ukrainë, nuk ndalen sulmet ruse. Raportohet se gjatë natës, Rusia lëshoi katërmbëdhjetë dronë sulmues dhe pesë raketa në territorin ukrainas, siç njofton forca ajrore e Ukrainës, që gjithashtu shtoi se u rrëzuan njëmbëdhjetë prej tyre.

Qyteti port i Ukrainës, Odesa, u sulmua dy herë nga dronët rusë gjatë natës, referuar raportimeve të guvernatorit rajonal Oleh Kiper në një njoftim në Telegram.

Rusia shënjestroi po ashtu Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, ndaj të cilit hodhi pesë raketa të drejtuara kundërajrore S-300.

Kiper informoi edhe se gjatë sulmit në qytetin port të Detit të Zi u plagosën dy persona.

Me të gjithë punën efektive të mbrojtjes ajrore për të zmbrapsur sulmet e armikut, për fat të keq, një objekt industrial u godit në Odesa dhe objektet e banimit e infrastruktura civile u dëmtuan.

Lidhur me këtë deklaratë nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga Rusia. Në javët e fundit, Moska i ka intensifikuar sulmet me raketa në shënjestrat civile në Ukrainë, duke shkaktuar një mori vdekjesh, plagosjesh e po ashtu dëmesh materiale.

Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën 29 dhjetor 2023 – 2 janar 2024, Rusia ka nisur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit, në qytetet ukrainase.

Kjo valë sulmesh po rrit presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtjen e Ukrainës, si dhe rezervat e municioneve. Për këtë arsye, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shtuar thirrjet ndaj aleatëve që të vazhdojnë të ndihmojnë Kievin.

Kujtojmë se lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022, pra rreth dy vjet më parë. Si pasojë e luftimeve me forcat ruse kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

Perëndimi nuk ka qëndruar në heshtje dhe i është përgjigjur Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me një sërë sanksionesh të ashpra.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50747 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE