Izraeli kërkon të ndalë aktivitetet e një agjencie të OKB-së në Gaza!

vovalbania January 27, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Izraeli kërkon të ndalë aktivitetet e një agjencie të OKB-së në Gaza!

Izraeli do të tentojë të ndalë punën në Gaza të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA). Në kulmin e tensioneve e pakënaqësive ndaj OKB-së, një ministër izraelit tha se disa pjesëtarë të stafit të UNRWA-së u përfshinë në sulmet e 7 tetorit të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian. Ishin ato sulme në jug të Izraelit, që nxitën luftën në Rripin e Gazës e që vijon me luftime tepër të ashpra.

Izraeli po synon që të sigurohet që UNRWA të mos ketë më aktivitete, tha ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Ai shtoi se Izraeli do të tentojë të marrë mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, si dhe donatorë të tjerë të kësaj agjencie.

Grupi radikal Hamas ka reaguar pas këtij njoftimi duke e cilësuar si “kërcënim” ndaj UNRWA. Po ashtu i bëri thirrje OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që “të mos dorëzohen para kërcënimeve dhe shantazheve”.

Një ditë më parë, UNRWA tha se ka larguar nga puna disa punonjës që akuzohen nga Izraeli se janë përfshirë në sulmet e 7 tetorit të Hamasit, duke nxitur Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të pezullojnë disa fonde thelbësore.

Numri i agjencisë, Philippe Lazzarini është zotur që të mbajë përgjegjës çdo punonjës, nëse vërtetohet se ata kanë qenë pjesë e aktit të terrorit.

Pas largimit të tyre, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u zotua se do të bëhet një rishikim i pavarur i agjencisë. Sipas tij, 12 persona janë shkarkuar. Po ashtu, Australia dhe Kanadaja  kanë pezulluar fondet për agjencinë.

Sulmet e 7 tetorit në jug të Izraelit ku u vranë 1 mijë e 200 persona dhe u rrëmbyen afro 250 të tjerë, nxitën luftën në Rripin e Gazës.

Izraeli është zotuar se do të shtypë Hamasin dhe është kundërpërgjigjur me një fushatë ajrore e tokësore në Gazë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, nga sulmet izraelite janë vrarë mbi 26 mijë palestinezë. Ky dikaster nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se shumica e viktimave ishin gra e fëmijë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49970 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE