BE kërkon marrëveshje për dinarin serb!

vovalbania January 29, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
BE kërkon marrëveshje për dinarin serb!

Bashkimi Europian i kërkon Kosovës të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, sipas të cilit vetëm euro do të përdoret nga 1 shkurti për transaksionet me para kesh, duke spostuar kështu dinarin serb.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi se këtë çështje palët duhet ta zgjidhin në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli. Blloku argumenton se shtyrja e vendimit do të krijonte mundësinë të zgjidhej ngërçi i një ndikimi i mundshëm negativ te komuniteti serb në Kosovë.

“BE-ja është në dijeni të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e parave kesh e cila ka për qëllim zvogëlimin e gjasave të falsifikimit, të ruajë stabilitetin financiar dhe të rrisë transparencën e qarkullimit të parave të tilla në Kosovë. Megjithatë, kjo ngre shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhuri në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia”, tha Stano.

Kërkesa e bllokut vjen në ditën kur i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndron në Serbi dhe një ditë më vonë viziton Kosovën. Stano sqaroi se BE-ja bën thirrje “që të ketë një periudhë të mjaftueshme transitore që do të mundësonte gjetjen e një marrëveshjeje të negociuar” lidhur me vendimin e BQK-së, i cili nga serbët e Kosovës është parë si lëvizje që praktikisht, ua bën atyre të pamundur përdorimin e dinarit.

“Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të zgjidhet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar prej saj”, deklaroi Stano. –TCH–

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51011 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE