Mirosllav Lajçak në Serbi e Kosovë, ende i pakonfirmuar takimi me Albin Kurtin!

vovalbania January 29, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mirosllav Lajçak në Serbi e Kosovë, ende i pakonfirmuar takimi me Albin Kurtin!

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, sot viziton Beogradin ku do të takojë presidentin serb, Aleksander Vuçiç, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndërkaq, nesër udhëton për në Prishtinë. Lajçak pritet të takohet me përfaqësuesit e institucioneve vendore, ndonëse ende nuk ka konfirmim nëse do të mbahet një takim mes të tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kujtojmë se një ditë më parë, ambasadorët e QUINTI-t kërkuan që të pezullohet zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore që euro të jetë monedha e vetme për pagesa në Kosovë. Përmes një deklarate, thanë se pezullimi duhet të “mundësojë një periudhë të mjaftueshme tranzicioni e për komunikim të qartë dhe efektiv publik”.

Ambasadorët e QUINT-it thanë se rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme, që pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt, synon të reduktojë paratë e falsifikuara dhe të ruajë stabilitetin financiar, por po ashtu “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin, në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja do të ketë edhe ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia.

Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe. Përfaqësuesit e këtyre shteteve u takuan më 26 janar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar lidhur me këtë çështje.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtij takimi, Kurti kërkoi nga ambasadorët e QUINT-it që të respektojnë vendimin e BQK-së.

Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore.

Ditë më parë, Uashingtoni kërkoi që Kosova të rishqyrtojë vendimin, që do të pamundësonte serbët të cilët jetojnë në Kosovë, të përdornin dinarin serb për të bërë transaksione me dinarë. Ndërkaq, edhe Bashkimi Europian njoftoi se ka kërkuar sqarime nga Kosova për këtë vendim.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48935 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE