Plani i armëpushimit në Gaza, Hamas jep miratimin fillestar!

vovalbania February 02, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Plani i armëpushimit në Gaza, Hamas jep miratimin fillestar!

Luftimet në Gaza po vazhdojnë edhe ditën e sotme ndërsa më herët u raportua për dhjetëra të vrarë gjatë natës. Këto njoftime erdhën në kohën kur Katari bëri të ditur se Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, dha miratim “fillestar” për një marrëveshje lidhur me lirimin e pengjeve, në këmbim të të burgosurve.

Një marrëveshje e tillë do të çonte në një pauzë luftën mes radikalëve palestinezë dhe Izraelit. Në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, Ministria e Shëndetësisë raportoi se 105 persona janë vrarë brenda 24 orëve të fundit. Po ashtu pati bombardime dhe luftime në Khan Junis, qytet në jug të Gazës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, konfirmoi se gjatë bisedimeve të fundit në Paris të zhvilluara mes zyrtarëve të Katarit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Egjiptit, është diskutuar mbi një propozim për armëpushim në Gaza.

Propozimi është miratuar nga pala izraelite dhe tani kemi konfirmim pozitiv fillestar edhe nga pala e Hamasit.

Ansari vuri në dukje se ka shpresë për “lajme të mira” lidhur me një fazë të re në luftën në Gaza, duke paralajmëruar se mund të ketë lëvizje në këtë drejtim “në javët në vijim”.

Plani i armëpushimit përfshin lirimin në faza të mbi 100 pengjeve që Hamasi rrëmbeu gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael. Në nëntor u lirua një pjesë e pengjeve në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë në Izrael. Po ashtu, plani për armëpushim prej dy muajsh, përfshin ndërprerjen e luftimeve, që do të mundësonte dërgimin e ndihmës më të madhe humanitare në Gaza.

Izraeli nisi ofensivën e tij të gjerë në Rripin e Gazës, pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit. Si pasojë e sulmeve izraelite, në Gazën prej 2.3 milion banorësh, deri më tani janë vrarë më shumë se 27 mijë palestinezë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor. Megjithatë, ky institucion nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë. Por, thotë se shumica e viktimave janë gra e fëmijë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49453 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE