“PD, 100% në mbështetje të SPAK-ut”/ Basha: Rama nuk e do Reformën Zgjedhore, të tjerë bllokojnë procesin në Komision

vovalbania February 06, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“PD, 100% në mbështetje të SPAK-ut”/ Basha: Rama nuk e do Reformën Zgjedhore, të tjerë bllokojnë procesin në Komision

Kreu i PD-së zyrtare, Lulzim Basha ka deklaruar se lufta për interesa personale brenda Partisë Demokratike, i ka kushtuar një ‘faturë të majme’ Shqipërisë dhe shqiptarëve.

I ndalur tek propozimet për ‘Zgjedhoren’, Basha theksoi se kryeministri Rama nuk e do Reformën Zgjedhore. Madje, kryedemokrati nuk ka nguruar të drejtojë gishtin as nga opozita sa i përket bllokimit të procesit.

Sipas Bashës, ata që bllokojnë Komisionin për Zgjedhoren dhe me paturpësinë më të madhe akuzojnë PD-në, janë në një mendje me Edi Ramën.

 “Lufta për interesa personale për dy vite brenda PD, ka ardhur me një faturë shumë të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Një pjesë prej nesh e ka përjetuar atë kohë kur Shqipëria nuk kishte opozitë. Ne nuk mund dhe nuk duhet të kthehemi në atë kohë. Tani që hetimet e SPAK po rrëzojnë njeri pas tjetrit, i janë turur për ta sulmuar. Dhe kjo nuk është kohë për dilema, por për qëndrime të qarta: e mbështesim apo jo drejtësinë.”

“Ne e dimë se Edi Rama nuk e do Reformën Zgjedhore. Është treguar i sinqertë, e ka thënë, e dua kështu siç është. Dhe kështu siç është e mban po të dojë, shqiptarët nuk zgjedhin kandidatin që duan, barazi vote nuk do ketë, procesi është provuar në çdo raport që është problematik dhe e mban. Por kemi dikë tjetër që nuk e thotë, do apo nuk e do, por e bllokon procesin e Reformës Zgjedhore. Nuk është e njëjta gjë? Tjetri thotë nuk e dua, tjetri e bllokon reformën zgjedhore. Me paturpësinë më të madhe, drejton gishtin nga PD. Janë në një mendje me Edi Ramën, duke e bllokuar tash një muaj komisionin e reformës zgjedhore, që mos të vijnë të dëgjohen shoqëria civile, institucionet vendore, institucionet ndërkombëtare, që të pyeten duhet apo s’duhen listat e hapura, barazia e votës, votimi elektronik dhe votën e emigrantëve”- tha Basha.

Sa i përket reformës në drejtësi, Basha theksoi se tani që drejtësia ka nisur të veprojë, duhet mbështetur SPAK-u dhe forca politike që ai drejton është e gatshme të ofrojë 100% mbështetje për Prokurorinë e Posaçme dhe drejtësinë.

“Përballë kemi një kastë politikanësh që për 33 vite nuk kanë pyetur për ligjin. Ndaj, këta politikanë duhet t’i pyesim: Duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un? Tani që drejtësia ka nisur të veprojë, duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un. E kuptojmë Edi Ramën që është bërë pishman për drejtësinë e re. A nuk është kjo koha që opozita t’i qëndrojë në krah për të vënë para ligjit pandëshkueshmërinë. Si mund të jesh kundër drejtësisë, kur je kindër korrupsionit? PD e ka zgjidh këtë dilemë, 100% në mbështetje të SPAK-ut dhe drejtësisë”- tha Basha.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48775 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE