Shqipëria, e vetmja në rajon që nuk ka prioritet të përdorë teknologjinë për aftësimin e njerëzve!

vovalbania February 12, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Shqipëria, e vetmja në rajon që nuk ka prioritet të përdorë teknologjinë për aftësimin e njerëzve!

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka prioritet përdorimin e teknologjisë për zhvillimin e kapitalit njerëzor ndryshe nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja dhe Mali Zi që mendojnë të shfrytëzojnë revolucionin digjital për të aftësuar njerëzit dhe forcën e punës.

Ky rezultat doli nga një raport i Forumit Ekonomik Botëror, i bazuar në një anketë të zhvilluar rreth 120 vende të botës, referuar së fundi nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

Revolucioni i Katërt Industrial ka krijuar mundësi të gjera për bizneset dhe qeveritë në mbarë botën. Sipas “Markets of Tomorrow” që ka përpunuar rezultate e anketës globale, tre teknologji në veçanti ka të ngjarë të bëhen të rëndësishme strategjike në Ballkani Perëndimor.

Së pari, duket se ka nevojë për përdorim më të madh të teknologjive bujqësore, duke përfshirë teknikat bazë si “mekanizimi dhe ujitja, deri në zhvillimet e fundit teknologjike , të tilla si bujqësia e saktë ose përdorimi i droneve bujqësorë. Ky trend është veçanërisht i lartë në të gjitha ekonomitë e BB, duke qenë prioriteti numër një në Serbi, Maqedoninë e Veriut e Malin i Zi dhe pak më i rëndësishëm në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë.

Së dyti, anketa konsideroi arsimin dhe teknologjitë e zhvillimit të fuqisë punëtore si prioritet strategjik për të gjithë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor (përveç Shqipërisë), vë në dukje raporti.

Përdorimi i teknologjisë për rritjen e aftësive të njerëzve përfshin informatizimin, teknologjitë e bashkëpunimit, Inteligjencën Artificiale dhe blockchain. Ky trend shihet veçanërisht i rëndësishëm nga ekspertët në Bosnje, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ndërsa konsiderohet disi e rëndësishëm në Kosovë e Serbi, teksa në Shqipëri nuk merret në konsideratë.

Së treti, teknologjitë që lidhen me ruajtjen dhe gjenerimin e energjisë pritet të bëhen të rëndësishme strategjikisht. Ndërsa ky trend është përforcuar nga lufta në Ukrainë, “teknologjitë për ruajtjen dhe fleksibilitetin janë kyçe në tranzicionin global të energjisë.

Në përgjithësi, kompanitë që investojnë në teknologji të reja mund të fitojnë një avantazh konkurrues duke u përmirësuar inovacionin, efikasitetin, qëndrueshmërinë, aksesin në treg dhe bashkëpunimin e tyre. Megjithatë, niveli i adoptimit dhe investimit në teknologji duhet të shoqërohet nga programe edukimi e trajnimi për të siguruar që fuqia punëtore të jetë e pajisur me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të adoptuar dhe zbatuar teknologjitë e reja në mënyrë efektive.

Në Ballkanin Perëndimor, kapitali njerëzor vazhdon të vuajë nga mungesa e talenteve dhe mospërputhja e aftësive, të përkeqësuara si nga emigracioni ashtu edhe nga sistemet e vjetruara arsimore. Këto tendenca përforcojnë njëra-tjetrën, duke prodhuar një prirje në rritje të papunësisë te të rinjtë./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50887 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE