Ukraina përballet me një valë të re të sulmeve ajrore ruse!

vovalbania February 12, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ukraina përballet me një valë të re të sulmeve ajrore ruse!

Ushtria e Rusisë ka kryer sulme të reja me dronë në Ukrainë gjatë orëve të vona të natës ndërsa Forcat Ajrore ukrainase raportuan sot se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 14 nga 17 dronët rusë si dhe një raketë lundruese të llojit Kh-59.

Forcat Ajrore po ashtu theksuan se “ushtria ruse ka lëshuar raketa tokë-ajër të llojit S-300, të cilat kanë rreze të gjatë veprimi”, por ato nuk treguan se sa raketa të këtij lloji u hodhën e nëse ndonjëra prej tyre ka goditur ndonjë objektiv të caktuar.

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, guvernatori i rajonit verilindor ukrainas të Harkivit, Oleh Synehubov,  deklaroi se Rusia ka sulmuar këtë rajon me raketa që janë hedhur nga rajoni rus i Belgorodit e që gjendet në kufi me Ukrainën.

Sipas raportimeve paraprake, Synehubov vuri në dukje se nuk ka viktima, por disa ndërtesa jorezidenciale kanë pësuar dëme.

Ndërkaq, guvernatori i Dnipropetrovskit, Serhiy Lisak, deklaroi dje në mbrëmje se Rusia ka sulmuar qytetin rajonal, Pavlorad me dronë. Nuk raportohet për viktima, por sipas guvernatorit, një pjesë e qytetit të goditur ka mbetur pa energji elektrike.

Vala e fundit e sulmeve ruse me dronë po ndodh në kohën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po vazhdon të bëjë ndryshime në kabinetin e tij të luftës teksa pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë.

Kievi njoftoi më 11 shkurt se Oleksandr Pavlyuk, i cili pak ditë më parë u lirua nga detyra e zëvendësministrit të Mbrojtjes është emëruar në postin e komandantit të forcave tokësore të Ukrainës.

Paraprakisht, ky post ishte mbajtur nga gjeneral-koloneli Oleksandr Syrskiy, i cili më 8 shkurt u emërua komandant i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, duke zëvendësuar gjeneralin Valeriy Zaluzhniy.

Në Uashington, gjatë një seance të mbajtur dje, Senati Amerikan votoi për të lëvizur përpara me paketën në vlerë prej 95.3 miliardë dollarësh për ndihmë për Ukrainën, Izraelin, si dhe shtetet e tjera.

Në këtë paketë është planifikuar që 60 miliardë dollarë të jenë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Nëse Senati nuk e miraton paketën do të mbetet e paqartë nëse ajo mund të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49617 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE