“Mbrojtja e Qëndrueshme 2024”, ministri Peleshi: Përmbushim zotimin e investimeve në kuadër të NATO-s!

vovalbania February 14, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“Mbrojtja e Qëndrueshme 2024”, ministri Peleshi: Përmbushim zotimin e investimeve në kuadër të NATO-s!

Përfundon me sukses stërvitja kompaktësuese dimërore e Grup Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë e koduar “Mbrojtja e Qëndrueshme 2024”. Në ditën e fundit të saj, në rajonin e Pukës morën pjesë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, njëherazi Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Arben Kingji, si edhe komandantë ushtarakë.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi përgëzoi efektivët, djemtë dhe vajzat e grupbatalionit të Këmbësorisë së Lehtë, njësi e certifikuar nga NATO si forcë e gatshme për dislokim dhe operim në ndërveprim të plotë me Aleancën Veri-atlantike. Po ashtu të njësive të tjera që u përfshinë në këtë stërvitje, për përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre.

Mjedisi i sotëm i sigurisë karakterizohet nga një numër në rritje i kërcënimeve dhe kundërshtarëve të vlerave perëndimore. Agresioni brutal i Rusisë kundër Ukrainës dhe konflikti në Lindjen e Mesme kanë tronditur rendin dhe sigurinë globale duke sjellë nevojën jo vetëm të një reagimi të përbashkët nga të gjithë vendet e aleancës, por dhe atë të zhvillimit të kapaciteteve kritike dhe të forcimit të qëndrueshmërisë kombëtare. Fokusi është në atë që po ndodh sot në rajonin tonë, i cili vazhdon të mbetet një rajon i brishtë dhe me tensione të provokuara që tentojnë destabilizimin e tij.

Ndaj sot kemi një strategji të re të sigurisë kombëtare, e cila do të pasohet së shpejti nga strategjia ushtarake dhe plani afatgjatë i zhvillimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ky bazament i fortë strategjik, na jep një shtysë për të konsoliduar dimensionin operacional dhe taktik duke vendosur theksin te transformimi i pandërprerë i forcave dhe i kapaciteteve tona.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, këto kapacitete do të testohen shumë shpejt në funksion të stërvitjes së madhe të NATO-s “Steadfast Defender 2024”. Peleshi u shpreh i kënaqur me faktin se këtë vit përmbushet zotimi për investimet në 2% të PBB-së në kuadër të NATO-s, për sigurinë dhe mbrojtjen, ndërsa theksoi vijimin e mbështetjes financiare dhe sociale për personelin ushtarak.

Komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Ilir Xhebexhia u zotua se kjo forcë do të jetë e angazhuar dhe do të punojë me përkushtim, disiplinë e profesionalizëm të lartë për realizimin e çdo detyre dhe në përmbushje të detyrimeve ndaj Aleancës.

Stërvitja “Mbrojtja e Qëndrueshme 2024” është pjesë e programit trajnues dhe stërvitor vjetor të Forcës Tokësore për këtë vit dhe zhvillohet në një moment kyç, pasi prej 1 nëntorit 2023 kjo forcë ka kaluar në strukturën e re organizative që konsiston në një forcë ushtarake më efektive, e kompletuar me personel, e mirëpajisur me armatim e teknikë të avancuar, e mirëtrajnuar, e stërvituar dhe e motivuar, e gatshme të kryejë misionin kushtetues në mbrojtje të vendit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48772 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE