15 minuta seancë plenare, kalon projektligji i basteve sportive!

vovalbania February 15, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
15 minuta seancë plenare, kalon projektligji i basteve sportive!

Vazhdoi skenari i bllokimit në sallën e Kuvendit të Shqipërisë që sot u mblodh për seancën plenare të radhës. Deputetët e grupeve Bardhi-Berisha penguan diskutimet me zhurmues dhe bilbila e duke bllokuar foltoren ndërsa në duar mbanin pankarta me mbishkrime të ndryshme si “Vrasës i demokracisë” apo “Vrasës i pluralizmit”. Deputetja Elda Hoti i fiku mikrofonin kolegut Arbi Agalliu nga grupi i deputetëve të Partisë Demokratike, të afërt me Lulzim Bashën.

Nikolla: Ju lutem kolegë të opozitës, zini vendet dhe vijojmë me interpelancën! Kryeministri ka deleguar zonjën Elisa Spiropali. Kuptohet, për shkak të vizitës së zotit Blinken dhe pamundësisë për të qenë në parlament.

Agalliu tentoi të merrte fjalën në foltore, por nuk u lejua nga deputetët që e mbanin të rrethuar dhe u kthye në vendin e tij nga ku kryeparlamentarja Nikolla i dha të drejtën e fjalës.

Agalliu: Eshtë kërkuar kryeministri Rama për të qenë prezent. Nëse ju e zgjasni kërkesën tonë për interpelancë urgjente që ka më shumë se dy javë që kërkohet… Duhet të jetë kryeministri Rama. Ai sot nuk mund të fshihet as pas Elisës, as pas vizitës së sekretarit Blinken!

Nikolla: Zoti Agalliu, ju bëjmë me dije se kërkesa e parë nuk plotësonte kushtet e rregullores. Ishte firmosur vetëm nga ju dhe jo nga 7 deputetë. Pasi erdhi konform rregullores, menjëherë është futur në seancën plenare. Kryeministri ka angazhime më të mëdha sot, ndaj ia ka deleguar ministres Spiropali zhvillimin e interpelancës. Kjo nuk është sipas dëshirës suaj, është me rregull.

Pasi nuk u mundësua zhvillimi i interpelancës së kërkuar nga Lulzim Basha për Arben Ahmetajn në lidhje me deklaratat që ish-zv.kryeministri në kërkim nga SPAK-u bëri në një studio televizive, u kalua në procesin e votimit. Kaosi nuk pengoi miratimin e projektligjeve në rend dite, përfshirë hapjen e basteve sportive që mori 72 vota pro e 2 abstenime. Po ashtu, me 74 vota pro dhe asnjë abstenim u miratua dhe projektligji për një shtesë në ligjin për festat zyrtare e ditët përkujtimore të ndryshuar.

Seanca zgjati vetëm 15 minuta. Në oborrin e selisë së Kuvendit, jashtë sallës së seancave plenare, Basha tha se “javën e ardhshme do të bëjnë padi në SPAK për kryeministrin Edi Rama”, duke përfshirë edhe akuzat e Ahmetajt.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48935 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE