Me premtimin se do ndikonte tek gjyqtarët, mori 25 mijë euro/SPAK çon në hetim avokatin!

vovalbania February 20, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Me premtimin se do ndikonte tek gjyqtarët, mori 25 mijë euro/SPAK çon në hetim avokatin!

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ndaj shtetasit P. S., në cilësinë e avokatit.

Në analizë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë moment, rezulton se shtetasi P. S., në cilësinë e avokatit i ka kërkuar dhe marrë shtetasve Ll. D. dhe S. D., një shumë monetare prej 25 000 (njëzetë e pesë mijë) euro, pasi i ka premtuar se do të ushtrojë ndikim tek gjyqtarët e çështjes, të cilët po shqyrtonin çështjen në ngarkim të shtetasit Ll. D., për favorizimin e tij në masën e dënimit.

Marrja e sasisë prej 9550 (nëntë mijë e pesëqind e pesëdhjetë) euro, nga personi nën hetim P. S., në banesën e shtetasit Ll. D. është regjistruar me audio dhe video nga rrethi familjar dhe shoqëror i shtetasit Ll. D., regjistrim ky që mban datën 06.03.2019.

Ndërsa pjesa tjetër e shumës së kërkuar, sipas deklarimeve të shtetases S. D., lidhur me deklarimet e shtetasve të tjerë që kanë dijeni për veprën penale, dhe të dhënat e Western Union, janë dhënë më vonë në disa këste, deri në dhënien e vendimit përfundimtar gjatë fazës së rigjykimit në Shkallën e Parë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, e ka deklaruar fajtor të pandehurin Ll. D. për kryerjen e veprës penale të “Plagosjes së rëndë me dashje, me pasojë vdekjen”, dhe dënuar me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim, (në të njëjtën masë dënimi sikurse ishte dënuar herën e parë).

Nga shuma e përfituar në mënyrë të paligjshme, shtetasi nën hetim P. S., i ka kthyer shtetases S. D., shumën prej 8000 (tetë mijë) euro, ndërsa pjesën e mbetur nuk ia ka kthyer.

Sa më sipër, nisur nga hetimet e kryera në kuadrin e këtij procedimi penal, rezulton se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi P. S., ka konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit P. S., hetuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Masa e mësipërme është ekzekutuar nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 19.02.2024.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49255 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE