Amnistia penale, Basha: PD nuk merr pjesë në votim të enjten, Rama kërkon të shpëtojë zyrtarët e dënuar nga GJKKO!

vovalbania February 21, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Amnistia penale, Basha: PD nuk merr pjesë në votim të enjten, Rama kërkon të shpëtojë zyrtarët e dënuar nga GJKKO!

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi të mërkurën në mesditë se grupi që ai drejton nuk do të marrë pjesë në seancën e të enjtes për të votuar paketën e amnistisë penale të propozuar nga PS. Arsyeja lidhet me nje propozim të minutës së fundit të deputetit të PS-së, Plarent Ndreca, që pjesë e listës përfituese të jenë edhe zyrtarët e dënuar  nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Qeveria e Edi Ramës ka propozuar të amnistojë zyrtarët e korruptuar të dënuar, apo nën hetim nga SPAK dhe të dënuar nga GJKKO. Është skandaloze që të përdorësh amnistinë penale e cila kryhet për arsye humanitare ndaj një kategorie të dënuarish për vepra të thjeshta që të nxjerrësh nga burgu apo të anulosh hetimet për zyrtarët e korruptuar të Edi Ramës. Kjo nuk është asgjë më pak sesa një ndërhyrje tek gjyqësori apo tek reforma në drejtësi. Ndërkohë që nga njëra anë partnerët ndërkombëtarë dhe vet shqiptarët vendosin theksin tek fundi i pandëshkueshmërisë, mesazhi që Rama dhe qeveria e tij japin në kohën që janë treguar me gisht ndërkombëtarisht, por dhe nga vet pjesëtarët dhe ish pjesëtarët e tyre që një qeveri tërësisht të korruptuar, është se ata që i dënon gjykata i liron qeveria me votat në parlament”, tha Basha.

“Kjo është ajo që po ndodh. Nga njëra anë do të përdorë amnistinë për të amnistuar zyrtarët e korruptuar që kanë vjedhur taksat e shqiptarëve, që kanë dëmtuar rëndë interesin e shqiptarëve, pronat e shqiptarëve, dhe nga ana tjetër refuzon të amnistojë protestuesit që janë ngritur pikërisht për të mbrojtur shtëpitë e tyre, pronat e tyre apo për të goditur korrupsionin qeveritar. Kjo është skandaloze, faktikisht është kriminale. Është një ndërhyrje e pastër në punët e drejtësisë”, vijoi ai.

Për këtë arsye, Basha theksoi: “Sot dua ta bëj fare të qartë se Partia Demokratike jo vetëm që nuk do të jetë pjesë e kësaj manovre të fëlliqur, por do të bëjë gjithçka brenda dhe jashtë vendit për të treguar dhe faktuar se kërcënimi kryesor ndaj avancimit të reformës në drejtësi dhe luftës kundër pandëshkueshmërisë, sot është Edi Rama dhe qeveria e tij e korruptuar. Kanë frikë nga drejtësia, duan t’i mbyllin gojën drejtësisë.

Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare dhe padiskutim është pritshmëria jonë që askush prej nesh të mos bëhet patericë e këtij akti korruptiv dhe kriminal që synon lirimin e zyrtarëve të korruptuar, të hetuar, nën hetim, të akuzuar apo të dënuar nga gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nëse ka një tërheqje nga ky qëndrim i papranueshëm dhe skandaloz dhe nëse propozimet tona për amnistimin pa kusht të të gjithë protestuesve do të pranohen, sigurisht Partia Demokratike në funksion të interesit të mirë publik dhe në transparencë të plotë, do të rishikojë vendimin e saj”, sqaroi Basha.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48694 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE