Mediat izraelite: Hamas tërhiqet nga disa kërkesa/Hamas: Propagandë hebraike!

vovalbania February 25, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mediat izraelite: Hamas tërhiqet nga disa kërkesa/Hamas: Propagandë hebraike!

Hyn në ditën e 142-të lufta në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Hamasit ndërsa në Paris vazhdojnë negociatat për lirimin e pengjeve. Sipas mediave izraelite, Hamasi ka hequr dorë nga disa kërkesa duke rënë dakord për lirimin e një numri më të vogël të burgosurish palestinezë dhe nuk pretendon më tërheqjen totale të trupave izraelite nga Rripi i Gazës.  Por, grupi palestinez përgënjeshtron:

Eshtë vetëm propagandë hebraike!

Shefi i kabinetit i liderit të Hamasit pohoi se të tilla lajme që flasin për tërheqjen e tyre nga disa prej kërkesave në negociatat për lirimin e pengjeve, janë “propagandë izraelite”. Ai akuzoi Izraelin se po përpiqet të pengojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje.

Kushtet e vendosura nga Hamasi për një marrëveshje përfshijnë dhënien fund të luftës, tërheqjen e forcave të ushtrisë izraelite nga Gaza, heqjen e bllokadës dhe rehabilitimin e Rripit të Gazës.

Ndërkaq, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, për herë të parë i paraqiti Kabinetit të Sigurisë një dokument parimesh mbi drejtimin e Rripit të Gazës pas luftës. Kjo me objektivin për të emëruar “funksionarë vendas”, jo të lidhur me terrorizmin, për të administruar enkllavën në vend të grupit radikal Hamas.

Netanyahu: Po punojmë mbi një plan për lirimin e pengjeve

Ne po punojmë për të patur një tjetër plan lidhur me lirimin e pengjeve tona, si dhe për të përfunduar eliminimin e luftëtarëve të Hamasit në Rafah.

Benjamin Netanyahu e bëri këtë pohim duke konfirmuar se Izraeli do të diskutojë “hapat e ardhshëm në negociata”. Netanyahu shtoi se megjithatë, ai do të mbledhë kabinetin në fillim të javës për të miratuar planet operacionale të veprimit në Rafah, duke përfshirë evakuimin e popullatës civile nga atje.

Vetëm një kombinim i presionit ushtarak dhe negociatave të vendosura do të çojë në lirimin e pengjeve tona, eliminimin e Hamasit dhe arritjen e të gjitha objektivave.

Ndërkaq, bëhet e ditur se një delegacion izraelit do të niset drejt Katarit për të vazhduar bisedimet mbi lirimin e pengjeve dhe një armëpushim të mundshëm në Gaza. Sipas mediave, vendimin e mori Kabineti i Luftës pasi analizoi përmbajtjen e bisedimeve të ndërmjetësimit të Parisit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjiptin dhe Katarin.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE