Prodhim municionesh në rajon për Ukrainën, Rama: I thamë “Po” Zelenskyy-t!

vovalbania February 29, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Prodhim municionesh në rajon për Ukrainën, Rama: I thamë “Po” Zelenskyy-t!

Vendet e rajonit i thanë “PO” propozimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy për të bashkëprodhuar municione për të furnizuar Ukrainën që përballet më agresionin rus. Në një konferencë shtypi me eurokomisionerin Varhelyi pas samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, kjo u bë e ditur nga kryeministri Rama. Sipas shefit të qeverisë, nuk ishte vetëm Shqipëria që ra dakord me këtë propozim, si dhe theksoi se gjithçka do ta bëjnë në bashkëpunim me aleatët.

Rama shpjegoi se propozimi i Zelenskyy-t nuk ka gjë të jashtëzakonshme.

Zelenskyy na foli për mundësinë e bashkëpunimit që do të thotë investimi dhe prodhimi krahas bashkëpunimit. Të gjithë thanë “po”, jo vetëm Shqipëria. Ky është një proces, e dimë që duhet të investojmë më shumë në mbrojtje. Gjithçka që mund të bëjmë në këtë drejtim, ne do ta bëjmë. Do ta bëjmë këtë me aleatët tanë e jo me të tjerët.

Shefi i qeverisë përmendi synimin për t’u futur në këtë industri e shtoi se po punojnë për të gjetur partnerët, si dhe marrëveshjen e duhur. Sipas Ramës, do të duhet që të rigjallërohet infrastruktura e vjetër për prodhimin e municioneve. Ende nuk është e qartë se ku konsiston prodhimi i përbashkët i armatimit.

Dje gjatë samitit “Ukraina-Europa Juglindore” në Tiranë, presidenti Zelenskyy ftoi Shqipërinë dhe të tjera vende të Ballkanit, të bashkëprodhojnë municione.  Në Ukrainë veprojnë mbi 500 kompani në fushën e mbrojtjes, por sipas tij, “nuk mjafton për të fituar”.

Shohim probleme në ofertën e municioneve, çka ndikon gjendjen tonë në fushat e betejës. Jemi të interesuar për bashkëprodhimin e municioneve me ju e partnerët tanë.

Ndërsa Ukraina lufton me pushtuesit rusë, në Pallatin e Kongreseve, Zelenskyy hodhi idenë e “një forumi të posaçëm për Industrinë e Mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit”. Siç bëri të ditur, këtë çështje e diskutoi në takimin që pati më herët me kryeministrin Rama në Kryeministri. Në një postim në X, shkroi:

Ndër të tjera, diskutuam dhe për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës e mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve.

Në selinë e qeverisë, Rama e Zelenskyy firmosën Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Ukrainë, i cili synon të konsolidojë miqësinë mes dy vendeve dhe popujve. Kjo përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes reciprok.

Përpara se të hidhnin firmat për traktatin, presidenti i Ukrainës i dorëzoi kryeministrit Rama “Urdhrin e Princit Jarosllav i Urti”.

Motivacioni: Për kontributin e jashtëzakonshëm personal, në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe popullarizimin e shtetit të Ukrainës në botë.

Nga konferenca për shtyp me kryeministrin Rama, në përfundim të samitit për Ukrainën, presidenti Zelenskyy, paralajmëroi shtetet e Ballkanit Perëndimor se Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën. Putinin e kahasoi me Hitlerin. Edhe kryeministri Rama pranoi se ekziston një rrezik i qartë për Ballkanin për shkak të agresionit rus. Rama shtoi se çështja e ndihmës për Ukrainën, nuk duhet të përdoret për çështje të brendshme politike në shtete të ndryshme.

Kryeministri Rama theksoi se Ukraina meriton të mbështetet dhe ndihmohet me të gjitha mjetet e nevojshme. Sipas tij, shtetet si Shqipëria nuk mund të plotësojnë nevojat e mbrojtjes që ka Ukraina, ndaj iu bëri thirrje shteteve të mëdha e të pasura, ta ndihmojnë Kievin.

Pretendimet se ndalimi i dhënies së armëve për Ukrainën do të sjellë paqen nuk janë vetëm cinike, por edhe absurde sepse nuk ndalni luftën duke çarmatosur viktimën. E ndalni luftën duke ndalur keqbërësin.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50949 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE