Rusi, masa të rrepta të sigurisë pranë vendit ku do të prehet Alexei Navalny!

vovalbania March 01, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rusi, masa të rrepta të sigurisë pranë vendit ku do të prehet Alexei Navalny!

Forcat ruse të sigurisë janë duke u mbledhur në afërsi të varrezës Borisovskoye në Moskë, ku do të zhvillohet ceremonia mortore për kritikun e Kremlinit, Alexei Navalny, i cili vdiq në një burg rus në Arktik, më 16 shkurt. Në platformën e mesazheve Telegram, po raportohet se në ato zona ka forca të shumta të sigurisë.

Ceremonia mbahet në qarkun Marjino, ku Navalny ka jetuar për një kohë, sipas ish-zëdhënëses së tij, Kira Yarmysh. Në rrugën drejt kishës janë vendosur shumë gardhe metalike. Ka raportime që të paktën 40 makina të policisë janë parkuar në afërsi të një kishe. Yarmysh tha se për ata që nuk mund të marrin pjesë, ceremonia do të transmetohet drejtpërdrejt në YouTube.

Ende nuk është e qartë sa njerëz do të jenë të pranishëm. Qindra rusë janë arrestuar vetëm pse kanë dërguar lule për të përkujtuar Navalny-n.

Ivan Pavlov, avokat i njohur rus për të drejtat e njeriut, i cili është larguar nga Rusia, tha se autoritetet ruse do ta konsiderojnë funeralin si “organizim masiv të padëshirueshëm” dhe do të tentojnë të kufizojnë sa më shumë numrin e pjesëmarrësve.

Jam i sigurt që do të ketë kordone të policore dhe vëzhgim me video prej të gjitha anëve. Si masë parandaluese, ata do t’i marrin në pyetje aktivistët në stacione policore apo do t’i vizitojnë në shtëpi për t’iu dhënë paralajmërime. E kemi parë këtë tashmë.

Ivan Zhdanov, ish-drejtues i Fondacionit të Navalny-t kundër Korrupsionit bëri të ditur se po jepen informacione të pakonfirmuara në media që vetëm familjarët do të mund të marrin pjesë në ceremoni.

Trupi i Navalny-t iu dorëzua nënës së tij, Lyudmila më 24 shkurt, më shumë se një javë pas vdekjes së tij prej atyre që nga autoritetet u cilësuan “shkaqe natyrore”, në një burg në rajonin rus të Arktikut. Alexei Navalny ishte 47-vjeç.

E veja e tij, Yulia, u tregua e drejtpërdrejt dhe tha se presidenti rus, Vladimir Putin është përgjegjës për vdekjen e burrit të saj. Edhe disa zyrtarë perëndimorë kanë ndarë të njëjtin mendim. Ndërkaq, Serbia e Turqia nuk iu bashkuan një deklarate të Bashkimit Europian që bënte përgjegjës Vladimir Putinin.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE