Egjipti: S’ka përparim në bisedimet për armëpushim në Gazë!

vovalbania March 06, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Egjipti: S’ka përparim në bisedimet për armëpushim në Gazë!

Tri ditë negociata me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për një armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve izraelite dështuan që të arrinin përparim të martën, thanë zyrtarët egjiptianë.

Ky njoftim u bë më pak se një javë para nisjes së Muajit të Ramazanit, që ishte një afat jozyrtar për arritjen e një marrëveshjeje.

Pothuajse pesë muaj luftime e kanë lënë në gërmadha Gazën dhe kanë krijuar një katastrofë humanitare, teksa banorët e enklavës, veçmas në veri të territorit, po përballen me mungesë të theksuar të furnizimeve ushqimore.

“Ne duhet të dërgojmë më shumë ndihmë në Gazë”, tha presidenti amerikan, Joe Biden, të martën. “Nuk ka më arsyetime. Asnjë”, shtoi ai.

Grupet e ndihmës kanë thënë se është bërë pothuajse e pamundur dërgimi i furnizimeve në pjesën më të madhe të Gazës për shkak të vështirësive në koordinimin me ushtrinë izraelite, armiqësive që po vazhdojnë dhe për shkak të thyerjes së rendit publik.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti për javë të tëra kanë tentuar të ndërmjetësojnë një marrëveshje, sipas së cilës, Hamasi do të lironte deri në 40 pengje në këmbim të një armëpushimi gjashtëjavor, do të liroheshin disa të burgosur palestinezë dhe do të rritej ndihma në territorin e izoluar.

Dy zyrtarë egjiptianë thanë se rundi i fundit i diskutimeve përfundoi të martën. Ata thanë se Hamasi paraqiti një propozim që ndërmjetësit do ta diskutonin me Izraelin në ditët në vijim. Një nga zyrtarët tha se ndërmjetësit do të takohen të mërkurën me delegacionin e Hamasit, i cili nuk është larguar nga Kajro.

Hamasi ka refuzuar që të lirojë 100 pengjet që vlerësohet që ende mban dhe mbetjet mortore të afër 30 të tjerëve nëse Izraeli nuk i jep fund ofensivës, nuk tërhiqet nga Gaza dhe nuk liron një numër të madh të të burgosurve palestinezë, përfshirë edhe luftëtarë të lartë të Hamasit, të dënuar me burgim të përjetshëm.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se janë skeptikë që Hamasi dëshiron të arrihet një marrëveshje sepse grupi radikal ka refuzuar një sërë kërkesash, që SHBA-ja dhe të tjerët besojnë se janë legjitime, përfshirë edhe dhënia e një liste emrash të pengjeve që do të liroheshin.

“Është në dorën e Hamasit të vendosë nëse është i gatshëm të angazhohet”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të martën.

“Ne kemi një mundësi për një armëpushim të menjëhershëm që do të lironte pengjet, që do të rriste në mënyrë dramatike ndihmën humanitare për palestinezët që kanë nevojë për të dhe mund të vendosë kushte për një zgjidhje të qëndrueshme”, shtoi ai.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan, tha të martën se grupi ka kërkuar një armëpushim të përhershëm dhe jo një pauzë gjashtëjavore dhe “tërheqjen e plotë” të forcave izraelite.

“Siguria e popullit tonë mund të arrihet vetëm përmes një armëpushimi të përhershëm, dhënies fund të agresionit dhe tërheqjes nga çdo centimetër i Rripit të Gazës”, tha Hamdan për gazetarët në Bejrut.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, publikisht ka refuzuar kërkesat e Hamasit dhe vazhdimisht është zotuar se do të vazhdojë luftën derisa Hamasi të shkatërrohet dhe të gjitha pengjet të lirohen. Izraeli nuk ka dërguar një delegacion në rundin e fundit të bisedimeve.

Izraeli ende pret që Hamasi të dorëzojë listën e pengjeve që janë gjallë dhe të tregojë se sa pengje do të lirohen në këmbim të sa të burgosurve palestinezë, tha një zyrtar izraelit.

Zyrtari izraelit dhe ata egjiptianë folën në kushte anonimiteti për shkak se nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për negociatat.

I pyetur nëse Hamasi a një listë të pengjeve që janë ende gjallë, Hamdan tha se kjo çështje nuk është e rëndësishme në bisedime dhe akuzoi Izraelin se po e përdorë këtë si arsyetim për të shmangur angazhimin në negociata.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi pasi radikalët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Më shumë se 100 pengje janë liruar gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor.

Sulmi i Hamasit nxiti ofensivën izraelite në enklavën prej 2.3 milionë banorësh dhe Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se nga lufta janë vrarë më shumë se 30.000 palestinezë. Grupet e ndihmës kanë thënë se luftimet kanë detyruar që shumica e popullatës të zhvendoset dhe kanë shtyrë çerekun e popullsisë buzë urisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48797 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE