Gaza, Muaji i Ramazanit nis mes krizës së përkeqësuar të urisë!

vovalbania March 11, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Gaza, Muaji i Ramazanit nis mes krizës së përkeqësuar të urisë!

Agjërimi i Ramazanit, Muajit të Shenjtë të myslimanëve, palestinezët në Gaza i gjen në një kohë kur bisedimet për armëpushim kanë ngecur dhe kriza e urisë është përkeqësuar. Luftës tashmë pesëmujore mes Izraelit dhe Hamasit, grupit të shpallur terrorist nga SHBA-të dhe BE-ja, nuk po i shihet fundi.

Palestinezët e falën namazin jashtë ndërtesave të rrënuara, në pesë muaj luftime që iu kanë marrë jetën mbi 30 mijë palestinezëve dhe kanë rrënuar shumicën e Gazës. Zakonisht, familjet e prishin agjërimin me iftar festiv, por edhe në vendet ku ka ushqim, shumica është ushqim i konservuar dhe çmimet janë tejet të larta për shumicën.

Nuk mund ta shohësh askënd të gëzuar. Çdo familje është e trishtuar. Çdo familje e ka një martir.

Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari shpresonin të ndërmjetësonin një armëpushim para muajit të agjërimit nga mëngjesi në mbrëmje e do të përfshihej edhe lirimi i dhjetëra pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, si dhe futja e sasive të mëdha të ndihmave humanitare, por bisedimet u bllokuan javën e kaluar.

Hamasi po kërkon garanci se një marrëveshje e tillë do të çojë drejt përfundimit të luftës ndërsa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar se do ta vazhdojë ofensivën deri në “fitore të plotë” kundër grupit radikal dhe deri në lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura.

Lufta nisi kur pjesëtarët e Hamasit hynë me forcë në jug të Izraelit më 7 tetor duke vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe morën mbi 250 pengje. Besohet se Hamasi ende mban rreth 100 pengje.

Lufta ka detyruar 80% të popullsisë prej 2.3 milion banorësh të Gazës që të ikin nga shtëpitë e tyre, si dhe ka shtyrë qindra mijëra njerëz drejt urisë absolute. Zyrtarët shëndetësorë në Gaza thonë se së paku 20 njerëz, kryesisht fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja apo mungesa e ujit në veri të Gazës.

Në mesazhin vjetor për Ramazanin, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden e pranoi  se Muaji i Shenjtë erdhi “në një kohë të dhimbjes së madhe”.

Teksa myslimanët përreth botës mblidhen në ditët dhe javët në vijim për të prishur agjërimin, vuajtjet e popullit palestinez do të jenë shqetësimi i parë i shumë njerëzve. Ata janë shqetësimi im, po ashtu.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE