Shteti Islamik merr përgjegjësinë për sulmin në Afganistan!

vovalbania March 22, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Shteti Islamik merr përgjegjësinë për sulmin në Afganistan!

Grupi militant, Shteti Islamik mori përgjegjësinë për bombardimin vdekjeprurës që shënjestroi talebanët, të cilët po prisnin në radhë para një banke në jug të Afganistanit për të marrë pagat. Sulmi në një degë të New Kabul Bank në qytetin e Kandaharit la të vrarë tre persona dhe plagosi 12 të tjerë.

Të gjithë viktimat ishin persona që po prisnin në radhë për të marrë pagën, tha Inamullah Samangani, kreu i Departamentit qeveritar për Informacione dhe Kulturën në Kandahar.

Dega e IS-it, rivalit të madh të talebanëve ka kryer sulme ndaj shkollave, spitaleve, xhamive dhe zonave shiite në mbarë Afganistanin. Në një deklaratë që u publikua në agjencinë e lajmeve Aamaq, thuhet se një sulmues vetëvrasës shpërtheu jelekun me eksploziv në turmën e talebanëve, në afërsi të një banke, të cilët po prisnin të merrnin rrogat e tyre.

Qyteti i Kandaharit është qendër shpirtërore dhe politike për sunduesit e Afganistanit, pasi lideri suprem i tyre, Hibatullah Akhundzada jeton atje dhe vendimet që merr për çështje të mëdha zbatohen nga autoritetet në kryeqytetin afgan, Kabul.

Talebanët morën pushtetin në Afganistan në vitin 2021, gjatë largimit kaotik të trupave amerikane dhe të NATO-s pas 20 vjetësh në atë shtet. Pavarësisht premtimeve fillestare se do të kishin një qëndrim më të moderuar, gradualisht kanë rivendosur interpretimin e ashpër të Ligjit islamik të Sheriatit, siç kishin vepruar edhe gjatë sundimit në vitet 1996-2001.

Dy gjeneralët kryesorë amerikanë që mbikëqyrën evakuimin nga Afganistani pasi Kabuli ra në duart e talebanëve në gusht 2021, fajësojnë administratën Biden për “tërheqjen kaotike”. Ata u thanë ligjvënësve amerikanë se administrata Biden kishte bërë planifikime jo të përshtatshme për evakuimin dhe se masa nuk ishte urdhëruar në kohë. Dëshmia e rrallë e dy gjeneralëve në pension, për herë të parë nxjerr në skenë tendosjen dhe dallimet që udhëheqësit ushtarakë kishin me administratën e presidentit amerikan gjatë ditëve të fundit të luftës.

Pentagoni pati këshilluar që Shtetet e Bashkuara të mbanin në Afganistan të paktën 2 mijë e 500 ushtarë, për të ruajtur stabilitetin. Një tjetër shqetësim i udhëheqjes ushtarake ishte se Departamenti i Shtetit nuk po vepronte me shpejtësinë e duhur, për të mundësuar fillimin e evakuimit.

Dëshmitë bien ndesh me konkluzionin e një rishikimi të brendshëm të Shtëpisë së Bardhë lidhur me vendimet e administratës. Sipas përfundimeve, vendimet e presidentit Joe Biden ishin “tejet të kufizuara”, si rezultat i marrëveshjeve të mëparshme të tërheqjes të negociuara nga ish-presidenti Donald Trump. Raporti i Shtëpisë së Bardhë fajëson ushtrinë, duke thënë se “komandantët e lartë pohuan se kishin burime të mjaftueshme për evakuimin”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE