Petkoviç: Anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në Këshillin e Europës, gjest armiqësor ndaj Serbisë!

vovalbania March 28, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Petkoviç: Anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në Këshillin e Europës, gjest armiqësor ndaj Serbisë!

Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës do të ishte “gjest armiqësor” ndaj Serbisë.

Beogradi nuk do të ndalet së kundërshtuari këtë gjë haptazi, politikisht e në mënyrë procedurale! Ka një dëshirë për nxitim për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, për shkak të disa interesave gjeostrategjike që kanë pak të bëjnë qoftë me Beogradin apo Prishtinën.

Por, ata që vendosin për këtë, le të mendojnë me kujdes nëse anëtarësimi i mundshëm i Prishtinës në Këshillin e Europës do të kontribuojë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në kontinentin tonë apo nëse do të kishte efektin e kundërt.

Serbia i bën thirrje partnerëve të saj në Këshillin e Europës, të kenë parasysh se një rezultat i tillë do të ishte precedent që do të shkatërronte vetë parimet themelore të kësaj organizate kur të vendosin që të përfshijnë edhe Kosovën.

Do të ishte qartësisht një gjest armiqësor ndaj Serbisë, që deri më tani ka qenë anëtare aktive dhe e përkushtuar e kësaj organizate ndërkombëtare.

Një ditë më parë, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis. Aty u theksua se vendi ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Europës.

Raporti u miratua me 31 vota pro, katër kundër dhe një abstenim. Zyrtarët e tjerë të Serbisë, shtetit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kundërshton anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, e kanë kritikuar vendimin e Komitetit.

Më 22 mars, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kishte njoftuar për mundësinë e tërheqjes së Serbisë nga Këshilli i Europës nëse në këtë organizatë do të pranohej Kosova. Ideja e Vuçiçit është përkrahur nga ish-kryeministrja, tani kryetarja e Parlamentit serb, Ana Bërnabiç.

Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Europës. Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Këshilli i Europës është organizatë lidere në Europë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Europian dhe të gjitha vendet e rajonit. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg, Francë bën monitorimin e zbatimit të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48745 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE