8 vjet nga hyrja në fuqi e MSA-së Bashkimi Europian-Kosovë!

vovalbania April 01, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
8 vjet nga hyrja në fuqi e MSA-së Bashkimi Europian-Kosovë!

Sot mbushen plot tetë vjet nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim ndërmjet Bashkimit Europian dhe Republikës së Kosovës. Ky akord konsiderohet si kulmi i përpjekjeve e gjithashtu përkushtimit në axhendën europiane të më shumë se një dekade e gjysmë të institucioneve të Kosovës e të njëjtën kohë, paraqet një fillim të ri që i hap rrugë, si dhe përshpejton e përforcon procesin e integrimit europian, me qëllim anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Kjo ishte marrëveshja e parë kontraktuale midis BE-së e Kosovës, e cila u nënshkrua më 27 tetor të vitit 2015 dhe ajo ka marrë pëlqimin e Parlamentit Europian e po ashtu është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Marrëveshja hyri në fuqi më 1 prill të vitit 2016.

MSA-ja sjell dobi të shumta që prekin rrafshet politike, ekonomike, të përafrimit të legjislacionit, që si rezultat do të përmirësojnë institucionet, si dhe mjedisin e biznesit e vlerësohet se do të ndikojnë edhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

Sa i përket pjesës politike, Kosova merr përsipër që të zbatojë një axhendë edhe më ambicioze të reformave, të drejtuar për nga zhvillimi politik, ekonomik e social dhe nga ana tjetër, Bashkimi Europian zotohet që t’i mundësojë Kosovës të gjitha instrumentet që ka në dispozicion, përfshirë ato financiare, që të arrihet zbatimi i këtyre reformave, në mënyrë që vendi të përmbushë kriteret e anëtarësimit.

Nga pikëpamja ekonomike, MSA-ja përforcon marrëdhëniet ekonomike e tregtare mes shtetit të Kosovës dhe BE-së, duke krijuar gradualisht një zonë të tregtisë së lirë ndërmjet Unionit e Kosovës.

Ndër të tjera, MSA-ja ofron mbështetje teknike dhe financiare për reformat ekonomike të Kosovës e që do të çojnë drejt përforcimit të një ekonomie funksionale të tregut, e cila do të jetë në gjendje të përballet me presionin konkurrues të tregut të Bashkimit Europian.

Qeveria e Kosovës i ka përfshirë që të gjitha këto veprime në Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Ky program është dokumenti kryesor kombëtar i politikave për aderim në Bashkimin Europian. Po ashtu, përbën qëllimin parësor të programit e që është përmbushja e detyrimeve të MSA-së, brenda afateve të parashikuara me këtë marrëveshje.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49185 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE