Izraeli paralajmëron “pasoja” nëse Irani hakmerret për sulmin e ambasadës!

vovalbania April 05, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Izraeli paralajmëron “pasoja” nëse Irani hakmerret për sulmin e ambasadës!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka kërcënuar me pasoja nëse Irani sulmon vendin e tij. Në një takim të kabinetit izraelit të sigurisë, Netanyahu theksoi:

Irani ka vepruar kundër nesh për vite me radhë, si drejtpërdrejt ashtu edhe nëpërmjet përfaqësuesve të tij dhe kjo është arsyeja pse Izraeli po vepron kundër Iranit e përfaqësuesve të tij, në mënyrë mbrojtëse. Ne do të dimë të mbrohemi dhe do të veprojmë sipas një parimi të thjeshtë, kushdo që na dëmton ose ka ndërmend të na dëmtojë, ne do ta dëmtojmë atë!

Qeveria izraelite dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleate kryesore kanë frikë se Irani po përgatitet për një sulm të afërt, sipas disa zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë. Republika Islamike qe zotuar për hakmarrje pas një sulmi të dyshuar ajror izraelit në ndërtesën e ambasadës iraniane në Damask, kryeqytetin e Sirisë dhe që la pas disa të vdekur.

Dy gjeneralë brigade e pesë anëtarë të tjerë të Korpusit të fuqishëm të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) u vranë në sulmin e së hënës. Garda Revolucionare është forca ushtarake elitare e Iranit e konsiderohet edhe më e fuqishme se ushtria konvencionale.

Në një tjetër zhvillim, Izraeli tha se po ndërmerr hapa për të rritur fluksin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, duke përfshirë rihapjen e një pikëkalimi të rëndësishëm në Gazën veriore, të goditur rëndë nga lufta.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu i njoftoi planet sot në mëngjes, vetëm disa orë pasi presidenti amerikan, Joe Biden i tha atij se “mbështetja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për luftën në Gaza varet nga ndërmarrja e më shumë veprimeve nga Izraeli, për të mbrojtur civilët dhe punonjësit e ndihmave humanitare”.

Kjo rritje e ndihmave do të frenonte një krizë humanitare dhe është e nevojshme për të siguruar vazhdimin e luftimeve e gjithashtu arritjen e objektivave të luftës, njoftoi zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Njoftimi nuk dha hollësi mbi sasitë apo llojet e artikujve që do të hynin në Rripin e Gazës përmes pikëkalimit kufitar në Erez. Mbi 33 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza prej nisjes së konfliktit të 7 tetorit 2023.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48949 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE