Kosovë, sot nis regjistrimi i popullsisë/Ja çfarë duhet të dinë qytetarët!

vovalbania April 05, 2024 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Kosovë, sot nis regjistrimi i popullsisë/Ja çfarë duhet të dinë qytetarët!

Agjencia e Statistikave të Kosovës nis regjistrimin e popullsisë në vend, proces që do të zgjasë deri më 17 maj. Pjesëmarrja kërkohet me ligj e në rast refuzimi mund të penalizohen në shumën nga 30 euro-2.000 euro për person. ASK-ja ka bërë të ditur se informacioni i mbledhur gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejë si bazë për vendimmarrje kritike, që prek çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave.

Por, çfarë duhet të dinë qytetarët rreth projektit të regjistrimit të popullsisë ReKos 2024?

Për t’u siguruar që qytetarët të kenë qasje për projektin e regjistrimit të popullsisë dhe të jenë të përgatitur mirë për disa detaje më specifike nga fushat kryesore, më poshtë janë dhënë disa sqarime për qytetarët. Ky informacion synon të ndihmojë në bërjen e procesit sa më të qartë dhe gjithëpërfshirës.

Si të merrni pjesë?

Personalisht: intervista duhet të zhvillohet në objektin e banimit të ose në afërsi  të banesës/shtëpisë së respodentit (qytetarit). Intervista mund të zhvillohet në: banesë/shtëpi, hyrje, korridor, në një lokal afër banesës/shtëpisë, nëse ka një kopsht, terasë, ballkon ose vende të ngjashme.

Sa zgjat intervista?

Varësisht prej numrit të anëtarëve të ekonomisë familjare, moshës dhe gjinisë, pritjet janë që intervista në një ekonomi familjare me 4 anëtarë të zgjasë rreth 30 minuta.

Kush duhet t’i jep të dhënat?

Të dhënat rekomandohet të merren nga secili anëtarë i moshës madhore (mbi 16 vjet) nëse ata/ato janë të pranishëm gjatë intervistës. Në raste të tjera, një anëtar i ekonomisë familjare mund t’i jep të dhënat.

Si zhvillohet intervista?

Intervista zhvillohet ballë për ballë. Pasi të jetë prezantuar regjistruesi, duke ju informuar mbi qëllimin e regjistrimit dhe çfarë do të regjistrohet, përcaktohet vendi dhe zhvillohet intervista.

Me çfarë pajisje grumbullohen të dhënat?

Të dhënat grumbullohen përmes tabletave.

A mund të kem qasje se si po plotësohen pyetjet?

Gjatë plotësimit të pyetjeve, qytetari mund të shikojë se si po plotësohen të gjitha fushat në aplikacion, si dhe mund ta shikojë çdo përgjigje që jep.

Si identifikohen punonjësit e regjistrimit?

Regjistruesit janë të pajisur me një jelek identifikues, çantë, ID dhe Autorizim.

Informacioni i kërkuar në regjistrim

Pyetjet e zakonshme që parashtrohen në Regjistrim janë aplikuar edhe në ReKos 2024. Pyetësorët janë në harmoni me rekomandimet ndërkombëtare, duke përfshirë rekomandimet nga UNECE dhe Eurostat.

Pyetësorët e regjistrimit janë publikuar në ueb faqen e ASK-së dhe secili qytetar ka qasje për pyetjet që do të parashtrohen për qytetarët. Për qasje më të detajuar rreth Regjistrimit dhe për t’u informuar, luteni ta vizitoni ueb faqen e Agjencisë së Statistikës së Kosovës: https://ask.rks_gov.net/Rekos.

Kush regjistrohet?

Të gjithë qytetarët, që në periudhën ndërmjet 5 prillit deri më 17 maj 2024 qëndrojnë në Kosovë duhet të regjistrohen. Më pas, ASK-ja në bazë të kriterit të popullsisë së zakonshme rezidente do ta bëjë klasifikimin e personave rezidentë dhe jo rezidentë (gjatë kësaj periudhe mund të ketë numër të caktuar që regjistrohen, por që mund të jenë: turistë, punëtorë me punë te përkohshme nga shtetet e tjera, vizitë, ndonjë aktivitet kulturor a sportiv, kryesisht nga shtetet e tjetra).

Regjistrimi i diasporës

Për popullsinë e lindur në Kosovë ose kanë prejardhje nga Kosova, por që jetojnë jashtë Kosovës për më shumë se 12 muaj (ka një vendbanim-shtetet tjetër rezident) ata regjistrohen përmes një aplikacioni online (www.eDiaspora.rks-gov.net) gjatë gjithë periudhës së Regjistrimit.

Në çfarë gjuhe zhvillohet intervista?

Intervista zhvillohet në gjuhën që e flasin komunitetet. Në ReKos 2024 gjuhët në program/aplikacion që do të mund të parashtrohen pyetjet janë: shqip, serbisht, anglisht dhe turqisht.

Dokumentacioni i nevojshëm

Nuk nevojiten dokumentet për t’i verifikuar disa përgjigje që kërkohen në pyetësor, si: pronësia, qiraja, verifikimi i adresës ose të ardhurat. Meqenëse numri personal duhet dhënë për çdo anëtar të familjes është mirë që të përgatiten më parë (skanohen ose printohen) numrat personal të çdo anëtari të familjes. Numri personal gjendet në pasaportë, letërnjoftim si dhe në ekstraktin e lindjes (ekstrakti mund të shkarkohet pa pagesë në eKosova).

A duhet të jepen të dhënat e plota dhe të sakta?

Të dhënat që kërkohen në pyetësor për të gjitha fushat janë të detyrueshme të plotësohen dhe në bazë të Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, të dhënat duhet të jenë të sakta, pasi ato do të verifikohen nga burimet e tjera dhe çdo mospërputhje mund të jetë pjesë për ndëshkim.

Mosdhënia e të dhënave të sakta është vepër e dënueshme dhe dënimi është nga 30 euro deri 2.000 euro.

Në cilat pyetje mund të mos përgjigjem?

Në pyetjet rreth: përkatësisë etnike, religjionit dhe gjuhës që flisni mund të mos jepni përgjigje dhe nuk ka dënime.

Privatësia dhe konfidencialiteti

Të dhënat tuaja personale janë të mbrojtura me Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Ligjin për Statistikat Zyrtare dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Të dhënat do të anonimizohen dhe do të përdoren vetëm për analiza statistikore.

Detyrimet ligjore

Pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj. Komunikoni qartë këtë dhe refuzimi nënkupton se ju mund të penalizoheni në shumën nga 30 euro-2.000 euro për person.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48935 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE