Molotovët te Bashkia Tiranë, gjykata liron 4 protestuesit e opozitës!

vovalbania April 22, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Molotovët te Bashkia Tiranë, gjykata liron 4 protestuesit e opozitës!

Gjykata e Tiranës liroi katër protestuesit e opozitës, që të premten e 19 prillit morën pjesë në protestën e Rithemelimit e Partisë së Lirisë para Bashkisë Tiranë e që degradoi në akte dhune e përplasje me uniformat blu. Ajo e së premtes ishte protesta e tretë, pas arrestimit të disa drejtorëve e ish-drejtorëve të institucionit të bashkisë. Gjykata i la në detyrim për paraqitje dhe iu ndaloi pjesëmarrjen në tubime.

Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj, Franc Kaloshi e Artan Muçmata akuzohen për përdorim të lëndëve piroteknike, si dhe kundërshtim të punonjësve të policisë. Deputeti demokrat, Flamur Noka reagoi ashpër në lidhje me vendimin e sotëm dhe hodhi akuza ndaj drejtësisë:

Për të mbrojtur hajdutërinë, drejtësia e re, shpiku një masë të re. Përveç detyrimit me paraqitje, u ndalon daljen në vende publike, pra të drejtën e protestës. Janë turrur tani të ndalojnë protestën ndaj hajdutërisë. Por askush, as gjykata, as policia e inkriminuar e Taulant Ballës, as shteti i Edi Ramës nuk e shpëton dot Erion Veliajn. Ata do të përballen me Partinë Demokratike, do të përballen me opozitën!

Në protestën e 19 prillit u hodhën sende të forta e molotov, si dhe u tentua që të çahej kordoni policor. Pas përfundimit të saj, ekspertët e kriminalistikës shkuan në vendin e ngjarjes ku mblodhën të gjitha provat. Si prova materiale, mes tyre u sekuestruan objekte e sende të hedhura nga protestuesit, të cilat u dërguan për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Po ashtu, policia e Tiranës administroi edhe pamjet filmike të protestës e vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Hedhja e dhjetëra molotovëve rrezikoi jetën e policëve që ishin në detyrë.

Tashmë, pas protestave të tensionuara të opozitës, sot Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet për të diskutuar kërkesat e këshilltarëve të opozitës. Mbledhja pritet që të zhvillohet orën 17:00 e pas saj do të ketë një prononcim për mediat. Opozita ka kërkuar ngritjen e Komisionit të Brendshëm Financiar, që funksionon për një periudhë 4-vjeçare e gjithashtu ka në përbërje të saj përfaqësues të maxhorancës e të opozitës.

Edhe në dy protestat e para te Bashkia e Tiranës, nuk kanë munguar tensionet e aktet e dhunës.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49466 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE