Komisioni Hetimor i Shëndetësisë, mazhoranca mblidhet pa opozitën…miraton planin hetimor

vovalbania April 25, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Komisioni Hetimor i Shëndetësisë, mazhoranca mblidhet pa opozitën…miraton planin hetimor

Pas 3 orësh debate për procedurë, por pa arritur gjuhën e përbashkët për të miratuar planin e hetimit apo kërkesat për informacion, anëtarët e mazhorancës në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë, vendosën që të mblidhen pa opozitën.

Rreth një orë pasi u larguan nga mbledhja e komisionit, Plarent Ndreca, i cili është nënkryetar i komisionit Hetimor, mblodhi anëtarët e tij të PS-së dhe miratuan me 8 vota pro planin hetimor. Po ashtu me 8 vota rrëzuan planin e opozitës.

‘Plani ynë është më i gjerë, përfshin propozimet e opozitës!’- tha Ndreca.

Për tre orë me radhë, mbledhja e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë prodhoi vetëm debate dhe akuza mes mazhorancës dhe opozitës.

“S’duhet të humbin asnjë minutë kohë, të fillojmë nga hetimi. Radha e punës që është propozuar nga unë është që të miratojmë planin e hetimit, pastaj kërkesat për marrje provash”, tha Plarent Ndreca.

“Ju keni ardhur për të mos hetuar, për të penguar hetimin”, tha Albana Vokshi.

“Duhet të çojmë kërkesat për informacion dhe më pas të kemi një plan hetimor. Nuk thotë ligji që nga plani paraprak, kalohet te plani i hetimit dhe më pas te informacionet”, tha Ina Zhupa.
Në mungesë të dakordësisë, kaluan në akuza politike, duke akuzuar njëri-tjetrin se në komision vijnë me urdhra politikë.

“Kanë sjellë planin e Ilir Beqajt e kërkojnë ta kalojnë me forcën e hetimit. Nuk ka miratim plani sot”, tha Albana Vokshi.

“Ne nuk themi që është plani i Berishës, ju bëheni militante e pandreqshme. Nuk bëhemi pjesë e propozimeve tuaja që vijnë nga ballkoni”, tha Ndreca.
Një tentativë e radhës për të mbledhur komisionin, do të bëhet sërish të martën e 30 prillit, datë e përcaktuar në mënyrë të njëanshme nga Albana Vokshi, pasi PS u largua nga mbledhja.

Plani hetimor i opozitës parashikon që në listën e dëshmitarëve të thirret kryeministri Edi Rama, ish ministrat Beqaj e Manastirliu, ministrja Koçiu etj.

Ndërsa nga mazhoranca kërkohet shtrirja e listës së dëshmitarëve me të gjithë ish ministrat e shëndetësisë që nga viti 2006, pra duke përfshirë ministrat e qeverisë Berisha 1 dhe koalicionit të mëvonshëm të tij me Metën, si dhe zyrtarë e auditues të KLSH. PS ka propozuar që hetimet të shtrihen që nga 2009. Sipas PS-së duhet të pyeten edhe Ministrat e Shëndetësisë që nga dhjetori i 2006 si dhe të gjithë ish drejtuesit e QSUT që nga 1 tetor 2009.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49625 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE