Polonia: Rusia do të mposhtet nëse sulmon NATO-n!

vovalbania April 25, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Polonia: Rusia do të mposhtet nëse sulmon NATO-n!

Rusia do të përfundojë e mposhtur nëse kryen sulm kundër NATO-s, por aleanca ushtarake duhet ta përforcojë mbrojtjen gjithsesi. Kjo u theksua nga ministri i Jashtëm i Polonisë, Radek Sikorski, duke folur sot në Parlamentin e vendit.

Sikorski i bëri këto komente teksa përshkroi drejtimin e ri që ka marrë qeveria e kryeministrit Donald Tusk.

Prioritetet e Polonisë kanë ndryshuar, pasi Tusk erdhi në pushtet në muajin dhjetor. Polonia dëshiron të kthehet në grupin e vendeve të cilat i japin përparësi axhendës së Bashkimit Europian (BE).

Anëtare e NATO-s dhe e BE-së, Polonia ndodhet në krahun lindor të të dyjave e siç dihet, kufizohet me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën. Ndërkaq është rrugë e rëndësishme për furnizimin e Ukrainës me armë nga Perëndimi, në luftën kundër pushtuesit rus.

Partia Ligji dhe Drejtësia e udhëhoqi Poloninë nga viti 2015 deri më 2023-shin e ndonëse ruajti marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka patur qëndrime që shpesh e ndanin nga Bashkimi Europian. Në shumë raste, Varshava akuzonte Unionin se po përpiqej t’iu zhvishte pushtetin vendeve individuale. Pati përplasje edhe me Gjermaninë, vendi që pushtoi Poloninë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Qëllimi i fjalimit të kryediplomatit Sikorski ishte të tregonte se Polonia dëshiron marrëdhënie të mira me Uashingtonin e Brukselin. Më tej, theksoi rëndësinë e miqësisë me Gjermaninë dhe akuzoi qeverinë e kaluar se kishte zgjedhur përplasjen.

Në një tjetër zhvillim, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) konfirmoi se Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës raketa me rreze të gjata veprimi, të njohura si ATACMS, për përdorim brenda vendit.

Raketat mbërritën në Ukrainë gjatë këtij muaji.

Për gazetarët, zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel tha se këto raketa u dërguan me vendim të presidentit Joe Biden. Ky konfirmim vjen pas lajmeve në mediat amerikane se javën e kaluar, ato raketa ishin përdorur për të bombarduar një zonë ajrore ushtarake të Rusisë në Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, si dhe kundër forcave ruse në një tjetër pjesë të uzurpuar të vendit gjatë natës.

ATACMS mund ta godasin objektivin në largësi të mëdha deri në 300 kilometra distancë krahasuar me raketat me rreze veprimi prej 165 kilometrash e që Amerika ia dha Ukrainës në muajin tetor. Ato ishin pjesë e një pakete me ndihmë për Ukrainën në mars e jo pjesë e paketës që Kongresi e miratoi dhe presidenti Biden e nënshkroi dje.

Ne nuk njoftuam për këtë menjëherë, me qëllimin që të ruanim sigurinë e operacioneve të Ukrainës, me kërkesën e Kievit.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49625 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE