Derbi Tirana-Partizani/Rrugëtimi përmes statistikave!

vovalbania April 28, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Derbi Tirana-Partizani/Rrugëtimi përmes statistikave!

Java e 33-të e “Abissnet Superiores”, sot radha e tre ndeshjeve që më 15:00 startojnë me duelet Egnatia-Vllaznia e Kukësi-Teuta, për t’u mbyllur me sfidën Tirana-Partizani, në orën 19:00 dhe që do të jetë shumë e rëndësishme, në mos vendimtare për të siguruar një vend në “Final 4”. Bardheblutë e të kuqtë do të përballen në “Air Albania” në një ndeshje që vlen shumë më tepër se vetëm tre pikë. Partizani renditet i treti, me 5 pikë më shumë se Tirana e vendit të 4-rt, por skuadrat kryeqytetase mund të kishin grumbulluar më shumë pikë për atë se çfarë prodhojnë në sulm.

Derbi përmes statistikave: 

Në stadiumin “Air Albania” do të përballen dy ekipet që godasin më shumë në portat kundërshtare. Tirana kryeson këtë statistikë, me mesatarisht 11.56 gjuajtje drejt portës për ndeshje ndërsa Partizani me 11.21. Po ashtu, vihet në dukje edhe se bardheblutë kanë përqindjen më të lartë të gjuajtjeve në kuadrat, 38% të tyre teksa të kuqtë vijnë pas Tiranës, me një saktësi prej 35% të tentativave.

Forca e sulmit të Tiranës vihet re edhe në krosimet për ndeshje, pasi Tirana është e para në këtë renditje me më shumë se 15. Nga ana tjetër, Partizani numëron 12.5 krosime për ndeshje.

Nuk paraqitet njësoj situata sa i përket aspektit mbrojtës. Mesatarisht, Tirana pëson 11.3 goditje drejt portës për ndeshje edhe pse ka një sulm të mirë. Te Partizani është ndryshe pasi ka mbrojtjen e tretë më të mirë në kampionat, për numrin e goditjeve të marra.

Një prej arsyeve të shifrave të mbrojtjes së Partizanit, qëndron edhe te numri i faulleve të shkaktuar për ndeshje.

Partizani njihet si skuadra e dytë me më shumë faulle të shkaktuara në kampionat, me 14,24 faulle për ndeshje. Mesatarisht, mbi një faull për ndeshje më shumë se Tirana.

Sulmi i ashpër i Tiranës ndaj mbrojtjes agresive të Partizanit: kjo pritet të jetë rruga që do të marrë ky derbi, që do të vendosë shumë në lidhje me objektivat e të dyja skuadrave.

Ndërkaq, derbi ka mobilizuar Policinë e Shtetit që doli me një njoftim për të garantuar sigurinë deri në përfundim të ndeshjes së shumëpritur. Ndër të tjera, plani i masave përfshin edhe bllokim të disa segmenteve rrugore.

Java e 33-të e “Abissnet Superiores”, nisi dje me dy takime të orës 18:00. Në “Elbasan Arena”, Dinamo u përball me Laçin, ndërsa Skënderbeu priti Erzenin në Korçë.

Dinamo-Laçi   0-0

Skënderbeu-Erzeni  1-0

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50849 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE