Sulmet ndaj SPAK-ut, ambasadori Gonzato: Lëreni drejtësinë të bëjë punën e saj!

vovalbania May 02, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sulmet ndaj SPAK-ut, ambasadori Gonzato: Lëreni drejtësinë të bëjë punën e saj!

Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Silvio Gonzato, gjatë konferencës për shtyp në Europe House deklaroi se mbështet profesionalizmin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, si dhe rëndësinë e punës së këtij institucioni të drejtësisë.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me sulmet ndaj SPAK-ut nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ambasadori i BE-së tha se mbështetja për sistemin e drejtësisë është e palëkundur dhe kjo nuk ka të bëjë me një rast apo një tjetër. Gonzato u shpreh:

Mesazhi është i njëjtë dhe i përhershëm. Po të shohim edhe progres-raportin e Bashkimit Europian, ne i japim një përparësi shumë të madhe reformës në sistemin e drejtësisë. Mënyra se si ajo po funksionon tani, po tregon frytet e saj dhe ne duhet ta lejojmë që të bëjë punën e saj.

Gjithashtu, diplomati Gonzato vuri në dukje se “nuk ka standarde të dyfishta. Mbështetja për sistemin e drejtësisë është e palëkundur, por mesazhi është i njëjtë dhe i përhershëm. Ne i japim përparësi të madhe reformës në drejtësi dhe duhet ta lëmë të bëjë punën e saj”.

Ambasadori nuk komentoi paraqitjen në SPAK të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj por nënvizoi mbështetjen ndaj prokurorisë.

Ne do të vijojmë punën me Bashkinë e Tiranës sepse po bëjmë punë shumë të rëndësishme, të tilla si transporti i gjelbër. Ne do të përurojmë dhe disa shkolla sepse kjo është pjesë e punë tonë. Jam këtu për të ndihmuar Shqipërinë dhe që qytetarët shqiptarë të bëhen shtetas të Bashkimit Europian. Ky është objektivi im dhe jam i fokusuar në punën time.

Gonzato theksoi se Bashkimi Europian ka besim te puna e SPAK-ut.

Gjithmonë do të dëgjoni prej meje se unë mbështes profesionalizmin e SPAK-ut dhe rëndësinë që ka puna e këtij institucioni. SPAK po bën punën e tij. Kam besim të plotë te ata dhe ata kanë në dorë punën që po bëjnë.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi sot se Brukseli po jep mesazhe shumë të qarta dhe pozitive.

Ne gjendemi në një moment shumë pozitiv. Sinjalet që më vijnë nga Brukseli, janë që ne jemi shumë seriozë për plotësimin dhe përfundimin e procesit të zgjerimit sepse e shikojmë atë si plotësim të BE-së,sepse vendet e Ballkanit Perëndimor janë të rrethuara nga shtetet anëtare. Sinjalet janë shumë të qarta. Shtetet anëtare e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj çështjeje për begatinë, stabilitetin dhe të ardhmen e BE, deklaroi Gonzato gjatë konferencës për shtyp me rastin e Javës Evropiane 2024.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51177 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE