Konsolidimi fiskal, prezantohet Strategjia e 3-të e Menaxhimit të Financave Publike!

vovalbania May 03, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Konsolidimi fiskal, prezantohet Strategjia e 3-të e Menaxhimit të Financave Publike!

Ministria e Financave prezantoi Strategjinë e 3-të të Menaxhimit të Financave Publike, dokument bazë i punuar me ekspertë të Bashkimit Europian e që orienton politikat sa i përket reformave në menaxhimin e financave publike deri në vitin 2023.  Ministri i Financave, Ervin Mete u shpreh se forcimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i financave publike është një nga kërkesat themelore edhe sa i përket rrugëtimit të vendit drejt anëtarësimit në BE.

Reforma e Menaxhimit të Financave Publike synon të sigurojë një sistem financiar publik që promovon transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin e përdorimin e burimeve publike për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik.

Në dekadën e fundit është shënuar progres i konsiderueshëm sa i përket reformave dhe masave të ndërmarra gjatë zbatimit të dy strategjive të mëparshme të Menaxhimit të Financave Publike ndërsa vendi ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme me përparime domethënëse në procesin e integrimit europian. Edhe Plani i Rritjes, i miratuar nga Parlamenti Europian do të shërbejë si shtysë për vijimin e reformave, shoqëruar me mbështetjen financiare për përshpejtimin e tyre.

Mes synimeve të strategjisë së re janë:

Përmirësimi i mëtejshëm i politikave fiskale dhe makroekonomike; avancimi në planifikimin e integruar strategjik e buxhetor, si edhe rritja e monitorimit dhe raportimit; rritja e mobilizimit të të ardhurave dhe përmirësimi i mëtejshëm i sistemeve për menaxhimin tatimor e doganor; forcimi i menaxhimit të zbatimit të buxhetit dhe implementimi i mëtejshëm i standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit; avancimi i përputhshmërisë së sistemeve për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik në përputhje me praktikat e BE-së dhe integrimi i elementeve të ekonomisë së gjelbër duke synuar procedura dhe praktika që nxisin shpenzime drejt aktiviteteve të gjelbra.

Ministri Mete bëri dhe një përmbledhje të disa prej zhvillimeve kryesore ekonomike në vend e theksoi:

Shqipëria po kalon një moment shumë të mirë ekonomik, treguesit kryesorë makroekonomikë kanë shënuar përmirësime të ndjeshme, ku borxhi publik në fund të vitit 2023 zbriti për herë të parë që nga viti 2011 nën nivelin 60% dhe pritet të vijojë trajektoren rënëse edhe gjatë viteve në vazhdim.

Balanca primare u rikthye në pozitive dhe u shënua një përmirësim i ndjeshëm i bilancit të llogarisë korente, kryesisht ndikuar nga performanca shumë e mirë e sektorit të turizmit e shërbimeve të lidhura me këtë sektor, si edhe investimeve të huaja direkte që arritën nivelin më të lartë, prej 1.5 miliardë eurosh.

Ka vijuar performanca e mirë e të ardhurave edhe në muajt e parë të vitit 2024, përgjatë të cilit projektojmë të arrijmë në mbi 28% të PBB-së sa i përket mbledhjes së të ardhurave. Gjithashtu, vitin e kaluar u shënua niveli më i ulët i detyrimeve të prapambetura prej rreth 1% në raport me shpenzimet, që nga momenti i nisjes së monitorimeve në vitin 2016. Kjo edhe në kuadër të reformave të ndërmarra në zbatim të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike.

Strategjia e re për Menaxhimin e Financave Publike është publikuar për konsultim publik në fillim të muajit të kaluar dhe pritet të miratohet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, për të vijuar me fazën e zbatimit të saj.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51274 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE