Zyrtarit serb Petar Petkoviç i ndalua vizita në Kosovë!

vovalbania May 03, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zyrtarit serb Petar Petkoviç i ndalua vizita në Kosovë!

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë bëri të ditur se shefit të saj, Petar Petkoviç, autoritetet në Kosovë ia refuzuan kërkesën që të mund të zhvillonte një vizitë atje gjatë kësaj fundjave, me rastin e festimeve të Pashkës Ortodokse.

Sipas një njoftimi zyrtar të kësaj zyre, Petkoviç planifikonte që të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkën në Manastirin e Deçanit e më pas në shërbesën e organizuar në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkës Ortodokse. Po ashtu, synohej dhe një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.

Ndonëse vizita ishte e tëra e karakterit fetar dhe përfshinte vetëm vizita në manastire e në vendet e shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe për serbët, pa asnjë qëllim politike, autoritetet në Prishtinë e ndaluan vizitën e tij, duke mos dhënë asnjë shpjegim, njoftoi Zyra për Kosovën në qeverinë serbe.

Kjo zyrë tha se për më shumë se një vit, qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po e pengon Petkoviçin që të vizitojë serbët në Kosovë.

Këto ndalime të vizitave, jo vetëm që janë të pabaza, por gjithashtu paraqesin shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë e atë për vizita zyrtare në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për kryenegociatorin e dialogut me Prishtinën nga pala serbe.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ende nuk i është përgjigjur pyetjes që iu bë nga Radio Evropa e Lirë për të konfirmuar ose për të hedhur poshtë njoftimin e palës serbe. Në të kaluarën, Kosova ka refuzuar kërkesat e parashtruara nga Petkoviç për të zhvilluar vizita, duke thënë se refuzimi ishte për shkak të “deklaratave provokuese”.

Ndërkaq, në janar të këtij viti, Serbia ia refuzoi kërkesën për vizitë ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Ai kishte planifikuar që të vizitonte komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë të banuara me shqiptarë e që janë pjesë e Luginës së Preshevës.

Çështja e vizitave zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë rregullohet përmes një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve e që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës të Kosovës e Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51336 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE