Veliaj: Shumë shpejt, vendosim shtatoren e Skënderbeut në Paris!

vovalbania May 06, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Veliaj: Shumë shpejt, vendosim shtatoren e Skënderbeut në Paris!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përkujton 619-vjetorin e lindjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj bën të ditur se “shumë shpejt, në  sheshin “Skënderbej”, në Paris do të vendosin shtatoren e tij.

Gjatë një vizite dy ditore në Francë, Veliaj takoi homologen, kryetaren e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo nga ku dha lajmin e mirë të restaurimit të sheshit “Skënderbej” në kryeqytetin francez, si një shenjë e lidhjeve të forta që ekzistojnë mes dy popujve tanë, në momentin kur Shqipëria synon integrimin në Bashkimin Europian.

Lajmi më i mirë është që kemi një shesh “Skënderbej” në Paris dhe më në fund, sheshi është restauruar totalisht. Jemi gati për të pasur një monument të Skënderbeut në Paris, që ka qenë një ëndërr e shumë shqiptarëve dhe një lidhje e fortë mes popujve tanë.

Kur Europën e ëndërronim, kur në Europë ishim dhe tani që në Europë po integrohemi, statuja e Skënderbeut në Paris është një ndër lajmet më të mira që kemi marrë nga kjo vizitë.

I lindur më 6 maj të vitit 1405 në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit, Skënderbeu konsiderohet si një nga figurat më të shquara në historinë tonë e si themelues i shtetit mesjetar-shqiptar.

Gjergj Kastrioti hyri në histori si strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte e të shkatërronte taboret e ushtrisë osmane, më të organizuarat e më modernet e asaj kohe. Si një burrë i madh shteti, udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit shqiptar kundër pushtuesit osman, si dhe punoi për bashkimin politiko-shtetëror.

Me Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet e një shteti Arbër të organizuar. Për 25 vjet me radhë, mbrojti lirinë e popullit e të vendit duke penguar përhapjen osmane drejt Europës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Europiane e të Papatit të Romës, po ashtu.

Emri i Skënderbeut ka qenë burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin e hapur, rrugën e përparimit. Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar në çdo kohë ka shembullin, si dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.

Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve e për rritjen e vetëdijes kombëtare.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51427 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE