Kryebashkiaku Veliaj: Nga 1 janari 2025, autobusët falas për pensionistët!

vovalbania May 09, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Kryebashkiaku Veliaj: Nga 1 janari 2025, autobusët falas për pensionistët!

Bashkia e Tiranës do të transformojë shërbimin për 200 mijë qytetarë që përdorin transportin publik, duke e modernizuar me autobusë elektrikë, si dhe nga 1 janari, ky shërbim do të jetë falas për pensionistët. Kështu deklaroi sot kryebashkiaku Erion Veliaj në një takim me anëtarët e Asamblesë së PS-së së qarkut Tiranë. Veliaj tha se opozita do të përpiqet ta pengojë edhe këtë punë të mirë në qytet, sipas tij, siç ka vepruar gjithmonë me çdo punë të mirë të bërë për Tiranën.

Votat tona në Tiranë janë mbi 160 mijë dhe është e pamundur që autobusin ta përdorin vetëm socialistët. Për këta 200 mijë qytetarë që nuk ndahen në të majtë dhe të djathtë, që nuk ndahen në këtë parti apo në atë parti, përgjigja jonë është se ne do ta modernizojnë transportin publik të Tiranës.

Vite më parë kishim problematika të botës së tretë në Tiranë, ku njerëzit binin në pusetën para Presidencës.

Sot flasim për një Tiranë që është transformuar totalisht dhe me kreditë e BE-së dhe KFW gjermane, mund të modernizojmë transportin publik. Nga 1 janari 2025, për pensionistët do ta bëjmë falas transportin publik.

Dëgjova se PD-ja do të përpiqet, si gjithmonë, ta sabotojë Tiranën. E bënte këtë në kohë të Edi Ramës kur e sabotoi qytetin në mënyrën më mizore të mundshme. A thua se edhe vetë nuk jetonte në Tiranë… Kërkon ta bëjë edhe sot me këta të tjerët që derdhin gjak për mandate votash, duke thënë se do të votojë kundër këtyre 200 mijë qytetarëve që e përdorin transportin publik, kundër pensionistëve që ta kenë transportin falas dhe kundër një qyteti që ka vite që nuk i voton më, i cili në fushatën e fundit na dha fitoren më të thellë në histori me 60 mijë vota diferencë.

Kryebashkiaku premtoi se puna për transportin publik dhe shumë projekte të tjera, që i bëjnë vetëm mirë qytetit, do të vazhdojë pa ndalim.

Tirana ka nevojë të modernizohet, ka nevojë për shërbime, për infrastrukturë. Nëse ke hapur 1 mijë kantiere, patjetër duhen verifikuar dhe nëse në tre kantiere ka një problem, patjetër që duhet bashkëpunuar me drejtësinë. Por, Tirana nuk ndalet nga molotovi.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi:

Ndonëse kemi një ilaç për korrupsionin dhe reforma e re në drejtësi po adreson shumë prej këtyre temave, dua të them se shumica dërrmuese nuk shkon në punë për të bërë keq, shkon në punë për të bërë mirë, për të çuar përpara nderin e familjes, për të jetuar me respekt dhe për të kontribuar për qytetin tonë, për bashkësinë tonë, për komunitetin tonë.

Veliaj iu përgjigj Gazment Bardhit lidhur me deklaratën e këtij të fundit për bllokimin e marrëveshjes me KFW-në gjermane për transportin e gjelbër në kryeqytet. Nga Asambleja e PS-së për Qarkun e Tiranës, Veliaj i kujtoi Bardhit vrasjen në Elbasan në ditën e zgjedhjeve.

Dëgjova një personazh i cili shkoi në Parlament pasi ndodhi një vrasje në Elbasan. Ne mund të kemi pasur debatet tona, konfliktet tona, mund të kemi pasur betejat tona, mund të kemi qenë shumë aktivë në fushatë, po asnjë nga deputetët tanë s’ka ardhur këtu me gjak në duar dhe për asnjë nga deputetët tanë këtu nuk është shkrehur arma dhe mbuluar me gjak kutia e votimit. Dhe kur e dëgjoja që krenohej se do të bllokonte një komision, se do të bllokonte një marrëveshje kuadër, që do të bllokojë transportin publik të Tiranës, më habiti sepse mendova se kishin ndryshuar.

Veliaj nënvizoi se kjo përpjekje bllokimi është në vazhdën e përpjekjeve që opozita ka bërë për të sabotuar çdo punë në kryeqytet.

Eshtë një shprehje: Përkufizimi i budallallëkut është të bësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër. Nëse bën të njëjtën gjë, të njëjtin rezultat do të marrësh. Mendova se ky kthimi në Parlament ishte një energji e re, por pastaj thashë për çfarë zhgënjehem, a nuk ka qenë kështu, duke penguar çdo punë në Tiranë?

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51588 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE