Britania e Madhe pushtohet nga moti i keq, e pësojnë fluturimet!
Për shkak të motit të keq në Mbretërinë e Bashkuar, të gjitha fluturimet në Stansted u anuluan e ky aeroport mbylli pistat. Po ashtu, edhe Heathrow e Gatwick anuluan apo shtynë fluturimet pasi bora, akulli e mjegulla kanë mbërthyer Britaninë.
Në Skoci, Londër e në jugperëndim të Anglisë u dha paralajmërim që zgjati deri mëngjesin e sotëm. Po ashtu, trenat patën vonesa e shoferët u këshilluan të drejtojnë me kujdes makinat, pas disa aksidenteve rrugore. Ditët në vijim, Mbretëria e Bashkuar mund të përballet me temperatura të ulëta. Në Skoci pritet që termometri të shënojë në minus 15 gradë Celsius, sidomos në orët e natës.
Në njoftimin zyrtar të aeroportit Stansted u theksua se nuk u mbyll vetëm pista për shkak të reshjeve të borës, por si rezultat i motit të keq u anuluan të gjitha fluturimet e kompanive ajrore që operojnë atje. Për të njëjtën arsye, dje në aeroportin Heathrow nuk u kryen më shumë se 50 fluturime.
Aeroporti Gatwick njoftoi se i ka mbyllur pistat për arsye sigurie, që të parandalohet çdo problem i mundshëm nga pasojat e motit. Teksa disa fluturime u anuluan apo u shtynë, për 28 të tjerë u vendos të ridrejtoheshin në aeroporte të tjera. Kushtet e këqija atmosferike pritet vazhduan gjatë natës.