Lufta Izrael-Hamas, 500 të vdekur në një spital në Gaza/Shpërthime të fuqishme!
Lufta Izrael-Hamas, bomba dhe shpërthime në një spital në Gaza, 500 viktima. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mohoi përfshirjen e vendit të tij dhe tha se janë terroristët ata që po godasin. Grupi Hamas raporton për 3 mijë e 200 persona që kanë humbur jetën mes palestinezëve e 11 mijë të plagosur që nga fillimi i konfliktit, më 7 tetor.
Masakra e spitalit në Gaza, rrezikon t’i ndezë edhe më shumë armiqësitë. Ushtria izraelite thotë se shpërthimi ishte rezultat i lëshimit të një rakete të Xhihadit Islamik e që vajti keq pasi nuk arriti të godiste objektivat e synuara. Grupi militant palestinez Hamas akuzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës e thotë se mban përgjegjësi për sulmin, për shkak të asaj që e quan “mbështetje ndaj agresionit izraelit”.
Masakra në spitalin e Gazës mori një reagim të ashpër edhe nga bota arabe. Jordania nuk qëndroi indiferente e anuloi takimin katër palësh me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe presidentin e Autoritetit Palestinez, Abu Mazen të planifikuar për sot në Aman, me fokus tensionet në Lindjen e Mesme.
Ndërkaq, kreu i Këshillit Europian, Charles Michel reagoi dhe tha se “Sulmi në spital shkel ligjin ndërkombëtar”. Një reagim edhe nga Moska zyrtare. Për Rusinë, “sulmet kundër një spitali në Gaza përbëjnë një krim shokues e krim çnjerëzor”. Nga Izraeli, rusët kërkojnë të shfaqin imazhe satelitare për të treguar se nuk janë përfshirë.
Më herët gjatë ditës së djeshme, një raketë e lëshuar nga Izraeli goditi një shkollë që përdorej si vendstrehim, duke vrarë 6 persona.
Në një tjetër zhvillim, siç është paralajmëruar, presidenti amerikan, Joe Biden, sot do të vizitojë Izraelin ku do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Vizitën e tij e konfirmoi edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në fund të takimit në Jeruzalem po me Netanyahun e që zgjati shtatë orë e gjysmë.