Gabriel Escobar për Asociacionin në Kosovë: Jo shtet brenda shtetit!
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se “krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të krijojë shtet brenda shtetit”. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar deklaroi se “qëndrimi amerikan është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”, por shtoi se “duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bjerë ndesh me ligjet”.
Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, ndaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti. Ka modele të shumta europiane, ku pakicat mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore e gjuhën, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojnë. Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve e ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel, më vonë gjatë këtij muaji.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kundërshton asociacionin një-etnik, por Serbia kërkon krijimin e tij. Më 18 gusht, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç do të takohen në Bruksel, për të vazhduar dialogun. Escobar shpreson që në këtë takim të flitet edhe për Asociacionin.
Për Shtetet e Bashkuara, çështja e Kosovës, nuk është e hapur, pasi Uashingtoni dëshiron që Kosova të njihet nga të gjitha shtetet e BE-së dhe të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit të udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi pranë firmosjes së akordit për të zhdukurit e shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje, shumë shpejt. Ashtu si sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u tha presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti kur ishin në SHBA, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin.