Projektligj amerikan kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor!

vovalbania August 05, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Projektligj amerikan kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor!

Për Ballkanin Perëndimor, senatorë demokratë e republikanë amerikanë paraqitën një projektligj që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, tregtinë, si dhe të luftojë korrupsionin. Po ashtu, përfshin hartimin e legjislacioni të posaçëm për sanksionet, për të frenuar aktivitetet destabilizuese në Ballkan. Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin vjen mes shqetësimesh të rritura në rajon, për shkak të luftës ruse në Ukrainë.

Projektligji i ri dypartiak forcon tregtinë e investimet mes Amerikës e Ballkanit Perëndimor, duke luftuar edhe korrupsionin, përmes miratimit të një legjislacioni të posaçëm për sanksione kundër aktorëve destabilizues. Drafti udhëzon sekretarin e Shtetit, Blinken, të ofrojë ndihmë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor, për të zhvilluar strategji kombëtare kundër korrupsionit.

Gjithashtu, projektligji amerikan parashikon kthimin në ligj të dy urdhrave ekzekutivë. Përmes tij do të garantoheshin kompetenca për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe që janë të përfshirë në akte korruptive. Më tej, synohet nxitja e partneriteti universitar, inkurajohet angazhimi i Korpusit të Paqes në rajon, krijimi i një nisme për lidership rinor në Ballkan, si dhe kërkohet nga Korporata Financiare për Zhvillim, të hapë një zyrë në rajon, të lajmëruar më parë.

Senatori Ben Cardin, Kryetar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, i njohur si Komisioni amerikan i Helsinkit, tha se “në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa të mëdhenj drejt qeverisjes demokratike, që nga fundi i luftërave në ish-Jugosllavi, përçarjet politike dhe korrupsioni në rritje, kërcënojnë të gërryejnë këtë përparim”.

Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim partnerët dhe aleatët tanë demokratikë në Ballkanin Perëndimor. Ky projektligj dypartiak do të çojë përpara stabilitetin rajonal dhe përpjekjet kundër korrupsionit, duke krijuar programe që inkurajojnë zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës, strategjinë kombëtare kundër korrupsionit dhe të mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë paqen në Ballkanin Perëndimor.

Senatorët amerikanë e shohin projektligjin si mundësi për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-ve e Ballkanit Perëndimor, zgjerimin e mundësive ekonomike e si mbështetje në përpjekjet për të çuar përpara demokracinë e çrrënjosur korrupsionin.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65491 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE