“Ishte me pushime, e vrau polici”, edhe “The Sun” shkruan për tragjedinë e Potamit
Vijon jehona mediatike në Britani e tragjedisë së Potamit. Lajmi i vrasjes së 7 vjeçares nuk kalon në heshtje nga mediat në Britani, nisur dhe nga fakti që Jonada ishte shtetase britanike.
Pas “Daily Mail” apo “The Mirror” , sot ishte “The Sun” që ka vijuar të shkruajë për tragjedinë e ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë, ku 7 vjecarja Jonada Avdia u godit për vdekje nga gomonia teksa lahej në breg të detit.
Në numrin e sotëm ‘The Sun” sjell dëshminë e babait të të miturës, i cili rrëfen se në momentin e tragjedisë ishte edhe ai bashkë me vajzën duke u larë në det, por skafi i cili sipas tij erdhi me shpejtësi, e ndau nga vajza.
“Skafi erdhi në drejtimin tonë dhe hyri me shpejtësi të madhe. Unë po e mbaja Jonadën për dore por skafi, na ndau mua dhe vajzën. Unë u zhyta poshtë nën ujë dhe skafi goditi vajzën time me pjesën e motorit, duke e dëmtuar në të gjithë trupin” shkruan The Sun.
Ndërkohë dje, ishte “Daily Mail” që shkroi për Jonadën, e cila lindi në Britaninë e Madhe e jetonte në Barking, në lindje të Londrës. Po ashtu, vihet në dukje se ky ishte i treti aksident që shënohet këtë verë në plazhet shqiptare, çka padyshim nuk i shërben imazhit të turizmit tonë jashtë vendit.
Edhe e përditëshmja britanike “The Mirror” pasqyroi ngjarjen e rëndë e shkruan: “Një vajzë e vogël britanike humbi jetën në një aksident të tmerrshëm teksa pushonte në Shqipëri, pasi u godit nga skafi i një polici që nuk ishte në shërbim”.
Gazeta i referohet Observatorit Europian për Krimet dhe Sigurinë, që ka konstatuar se shumë prej plazheve në zonën e tragjedisë nuk kanë roje bregdetare. Autoritetet shqiptare u kontaktuan nga “The Mirror” për një koment rreth ngjarjes.