Izraeli vret liderin e dytë të Xhihadit Islamik Palestinez!

vovalbania August 07, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Izraeli vret liderin e dytë të Xhihadit Islamik Palestinez!

Vazhdon e tensionuar gjendja në Lindjen e Mesme. Izraeli vrau liderin e dytë të grupit Xhihadi Islamik Palestinez, ndërsa vijon të rritet numri i viktimave nga sulmet ajrore në Gaza. Khaled Mansour gjeti vdekjen nga bombardimet ajrore në shtëpinë e tij në Rafah, në jug të Gazas. Në të kaluarën, Mansour, njeri me ndikim në grup, u ka mbijetuar pesë përpjekjeve të ushtrisë izraelite për ta vrarë. Ai akuzohej për përgatitje të operacioneve ushtarake jashtë Gazas.

Gjashtë fëmijë e disa luftëtarë të grupit palestinez, përfshirë dy liderët Khaled Mansour dhe Tayseer Jabari, janë në mesin e 29 palestinezëve që raportohen të vdekur. Rreth 400 raketa palestineze e predha janë lëshuar në Izrael prej të premtes.

Izraeli nisi operacionet, për shkak të kërcënimeve që vijnë nga grupi Xhihadi Islamik Palestinez. Dhuna e raportuar orët e fundit, përbën përshkallëzimin më serioz mes Izraelit e Gazës për këtë vit. Në maj 2021, një luftë 11-ditore la të vdekur më shumë se 200 palestinezë e disa izraelitë. Më pas, palët ranë dakord për armëpushim. Ushtria izraelite paralajmëroi se ky operacion mund të zgjasë për një javë.

Xhihadi Islamik është një prej grupeve militante më të fuqishme që vepron në Gaza. Ky grup mbështetet nga Irani dhe e ka selinë në kryeqytetin sirian, Damask. Ndërkaq, ka qenë përgjegjës për shumë sulme, përfshirë ato me raketa e me armë zjarri kundër Izraelit. Deri tani, Hamasi që është dhe grupi më i madh militant në Gaza, nuk duket se po nis raketa nga arsenali i madh që disponon. Hamasi njihet për ideologji të ngjashme me Xhihadin Islamik e shpesh koordinohet me të.

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje palëve, të parandalojnë përshkallëzimin. Uashingtoni zyrtar konfirmon mbështetjen ndaj të drejtës së Izraelit që të vetëmbrohet, por shpreh edhe shqetësime rreth raportimeve për viktima mes civilëve. Me shpresën e parandalimit të dhunës së mëtejshme, Egjipti po ofrohet si ndërmjetësues e dje dërgoi një delegacion zyrtarësh në Izrael.

Tensionet mes Izraelit dhe palestinezëve

Tensionet rriten shpesh mes Izraelit dhe palestinezëve që jetojnë në Jerusalemin Lindor, në Gaza e në Bregun Perëndimor. Ndërsa këta të fundit ankohen se vuajnë “për shkak të veprimeve dhe kufizimeve të Izraelit”, shteti hebraik thotë se “vepron për të mbrojtur veten nga dhuna palestineze”.

Një ndër pikat kyçe të mospajtimeve ka të bëjë me Jerusalemin, të cilin Izraeli e pretendon të gjithin e si kryeqytet të pandashëm. Por, palestinezët kërkojnë që pjesa lindore të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre, në të ardhmen. Aneksimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli, nuk njihet ndërkombëtarisht.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48504 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE