A po dobësohet figura e Zelensky-t në sytë e amerikanëve?!
Një numër zyrtarësh të administratës Biden në SHBA, kanë nxjerrë së fundmi disa informacione të klasifikuara në adresë të kolumnistit të prestigjiozes New York Times, Tom Friedman, në lidhje me Shtëpinë e Bardhë, dhe një rënie sipas tyre, të besimit të amerikanëve ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Koha nuk mund të ishte më e keqe. I nderuar lexues: Lufta në Ukrainë nuk ka mbaruar. Dhe privatisht, zyrtarët amerikanë janë shumë më të shqetësuar për lidershipin e Ukrainës sesa po e lejojnë të kuptohet. Ekziston një mosbesim i thellë midis Shtëpisë së Bardhë dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky – shumë më tepër sesa është raportuar.
Dhe në Kiev po ndodhin disa gjëra qesharake. Më 17 korrik, Zelensky shkarkoi prokurorin e përgjithshëm të vendit dhe udhëheqësin e agjencisë së inteligjencës së brendshme – lëkundja më e madhe në qeverinë e tij që nga pushtimi rus në shkurt. Kjo lëvizje do të ishte e barabartë sikur presidenti Biden të shkarkonte Merrick Garland dhe Bill Burns në të njëjtën ditë! Dhe unë ende nuk kam parë ndonjë raportim që shpjegon bindshëm se pse ai e bëri këtë. Duket sikur ne nuk duam të shikojmë shumë nga afër nën sipërfaqe seç po ndodh në Kiev, nga frika se çfarë korrupsioni apo mashtrimesh mund të dalin në pah. Sidomos në një pikë kur kemi investuar kaq shumë atje. (Më shumë për rreziqet e gjithë kësaj një ditë tjetër.)” –shkruan Friedman në një raport të fundit nga The New York Times.
Ndërkohë, sipas korrespondentit të lartë politik të The National Review, Jim Geraghty, kjo deklaratë ka dy motive të mundshme.
Një mundësi sipas tij, është se administrata Biden thjesht dëshiron që lufta Ukrainë-Rusi të përfundojë, dhe Zelensky “nuk është më aq i gatshëm të bindet”, kështu që administrata mund të jetë duke u përgatitur të heq dorë nga ai.
Ndërsa mundësia e dytë, është që administrata parashikon që lufta Ukrainë-Rusi mund të shkojë keq dhe po përgatitet të përdorë Zelenskyn si kok turku – nëse do t’ju duhet ta bëjnë këtë. Ata po hedhin themelet për të argumentuar se “ne bëmë gjithçka që mundëm për të ndihmuar ukrainasit, por në fund, ata ishin të paaftë, shumë të korruptuar dhe shumë të ngatërruar në konfliktet e tyre të brendshme.”
Geraghty, sjell ndërmend edhe një moment nga fushata e Biden, ku ai ofroi një fjalim të ashpër kundër Rusisë – “Putini e di se kur unë jam president i Shteteve të Bashkuara, ditët e tij të tiranisë dhe përpjekjet për të frikësuar Shtetet e Bashkuara dhe Evropën Lindore i vjen fundi.”
Por sapo Biden erdhi në detyrë, ai theksoi se donte “një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme” me Rusinë.
Për një president që dikur dukej kaq luftarak ndaj Putinit, thotë Gerghaty, Biden e ndryshoi tërësisht tonin e tij, dhe pranoi pothuajse menjëherë ofertën e Putinit për të zgjatur Traktatin e Ri të Reduktimit të Armëve Strategjike për 5 vjet, hoqi kundërshtimin e SHBA-së ndaj gazsjellësit Nord Stream 2 duke e bërë Evropën edhe më të varur nga eksportet ruse të energjisë, refuzoi të përndiqte pasurinë personale të Putinit përmes sanksioneve, rriti importet amerikane të naftës ruse dhe anuloi gazsjellsin Keystone.
“Biden nuk mbërriti në Zyrën Ovale duke dëshiruar një luftë me Rusinë. Ai tani e gjen veten në një luftë me Rusinë dhe ai kurrë nuk donte të ishte në një të tillë. Biden sheh pasojat në rritje të pushtimit rus – çmime më të larta të energjisë dhe ushqimeve, një krizë ushqimi globale, një dimër i ftohtë potencial për Evropën Perëndimore – dhe ai ndoshta thjesht dëshiron të dalë nga kjo rrëmujë, edhe nëse Ukraina duhet të bëjë disa lëshime territoriale; mirëpo, SHBA-ja nuk ishte kurrë aq e interesuara se kush e kontrollonte rajonin e Donbasit gjithsesi,” – shton ai.
Në të njëjtën kohë, Ukraina po përballet edhe me akuza për keqtrajtim të të burgosurve politikë, pa marrë parasysh të drejtat e tyre njerëzore.
Si përfundim, ekziston mundësia që Uashingtoni të shtyjë Ukrainën të bisedojë me Rusinë dhe t’i japë fund konfliktit – edhe nëse kjo do të thotë që Kievi t’i japë Moskës një pjesë të territorit të saj.
Dhe nëse është e vërtetë që presidenti Zelensky nuk është shumë i prirur ta lejojë Rusinë të marrë pjesë të Ukrainës, në mungesë të një marrëveshjeje me Rusinë, dollarët amerikanë do të vazhdojnë të shpenzohen për Ukrainën, kriza globale do të vazhdojë të thellohet, dhe imazhi i SHBA-së do të vazhdojë të rrezikohet, sidomos në një kohë kur ish-presidenti dhe pretendenti i ardhshëm për president Donald Trump, po del me deklarata të forta, se “nëse ai do të ishte rizgjedhur president, lufta mund të mos kishte ndodhur kurrë’.
Në këtë pikë, shumë mund të argumentojnë se Demokratët dhe vetë administrata Biden mund të jetë duke bërë çdo përpjekje të mundshme për të ‘dalë nga kjo rrëmujë’ dhe për t’i dhënë esencialisht fund luftës.
Dhe kur të vijë fundi i konfliktit, administrata e Biden nuk duket shumë e prirur për të qenë në anën e humbësve.
A do të arrijë Shtëpia e Bardhë t’i japë fund kësaj lufte duke mbërritur në një marrëveshje aq të shumëpritur mes të gjitha palëve?
Këtë, vetëm koha do ta tregojë…