Pse nuk bie çmimi i naftës në Shqipëri? Në tregun ndërkombëtar, një fuçi shitet 94 dollarë!

vovalbania August 08, 2022 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Pse nuk bie çmimi i naftës në Shqipëri? Në tregun ndërkombëtar, një fuçi shitet 94 dollarë!

Çmimi i naftës së papërpunuar në bursa ka rënë së fundmi në rreth 94 dollarë për fuçi, duke arritur në nivelet e para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Por, në tregun shqiptar nafta aktualisht po tregtohet me 220 lekë për litër, nga rreth 190 lekë për litër që ishte në fund të muajit shkurt, përpara se të fillonte lufta. Që prej fillimit të muajit mars, çmimi tavan i naftës, benzinës dhe gazit caktohet nga Bordi i Transparencës së krijuar nga qeveria, bazuar në një formulë që merr parasysh kostot e blerjes së produktit, taksat, shpenzimet administrative dhe një marzh fitimi. Çmimi i naftës në vend ka shënuar luhatje të forta gjatë kësaj periudhe, deri në maksimumin e 265 lekë për litër në fillim të marsit, por nuk ka rënë asnjëherë nën 203 lekë për litër.

Pas një çmimi stratosferik në tregjet ndërkombëtare të karburanteve, edhe në Shqipëri përgjigja ishte me të njëjtën monedhë. Madje, në një ditë, në të gjitha pikat e karburanteve një litër naftë shkoi në vlerën e 290 lekëve, çka prodhoi një revoltë dhe nisjen e një sërë protestave në të gjithë vendin. Në 9 mars, sheshet u mbushën më qytetarë të revoltuar, të cilët kërkonin uljen e çmimeve, e sidomos të naftës, e ndikuar edhe nga taksat që ishin në këtë produkt.

Nëse bëjmë një krahasim, bazuar në deklaratat e Bordit të Transparencës, nafta në Shqipëri është shitur të paktën që nga marsi e deri tani maksimalisht me 265 lekë për litër, ndërsa çmimi minimal me 203 lekë për litër. Të shtunën Bordi vendosi uljen me një lekë për litër, e cila në fakt nuk reflekton vlerat e tregut ndërkombëtar.
Mosrënia e naftës në tregun vendas me të njëjtat ritme si në bursat ndërkombëtare krijoi krijuar shqetësim te konsumatorët dhe shoqatat e biznesit, që kërkojnë transparencë dhe reflektim të çmimeve në tregun vendas.

Shoqëritë hidrokarbure janë të vendosur për të mbrojtur çmimin e vendosur prej tyre, me argumentin se çmimi i naftës në vend nuk reflekton ecurinë në bursat ndërkombëtare. Sepse, sipas tyre, çmimi i naftës së papërpunuar në përqindje ka rreth dy muaj që bie me ritme më të shpejta sesa çmimi i produktit të gatshëm, referenca e të cilit është treguesi Platts.

Kjo lëvizje me ritme të ndryshme shpjegohet nga ndryshimet e ndodhura si gjatë periudhës së pandemisë, ku shumë rafineri përpunuese u mbyllën dhe më pas nuk u rikthyen më në punë, ashtu dhe nga efekti që çmimet e larta të naftës së papërpunuar sollën në kostot e rafinimit të produktit.

Dy arsye të tjera lidhen së pari me vlerën e dollarit, që ishte 106 lekë dhe tani është 114 lekë dhe nafta blihet në monedhën amerikane dhe së dyti një tjetër faktor lidhet me tërheqjen graduale të kompanive europiane nga blerja e naftës nga Rusia.

Kjo ka bërë që tregu i Mesdheut, që është furnitori kryesor për tregun shqiptar të ketë kosto të rritura në transport, pasi tashmë tregjet janë larguar drejt Gjirit Persik. Si rrjedhojë, treguesit e mëdhenj të furnizimit me naftë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën kanë ndërruar në kontratën ekzistuese çmimet e furnizimit.

Por, ndërsa Bordi që cakton çmimet çdo ditë, apo njëherë në dy ditë pretendon se bazohet në çmimin e karburanteve në bursën ndërkombëtare për të vendosur tarifat e shitjes në Shqipëri, duket se gjithçka lëviz krejt ngadalë.

Shoqata e hidrokarbureve në Shqipëri, për të bindur cilindo që është skeptik për çmimin e vendosur nga bordi, bën këtë llogari, të cilën e ka publikuar në të gjitha rrjetet sociale, apo media të ndryshme.
Me çmimin e kësaj të hëne, nafta është blerë 992 dollarë për ton, e shumëzuar me kursin prej 114 lekë për një dollar dhe me një ton naftë që ka 1118 litra, çmimi i blerjes është 101 lekë për litër, pa llogaritur premiumin prej 80 dollarë për tonë. Taksat sot janë 130 lekë për litër të të dy nivele, duke arritur në çmimin prej 221 lekë për litër. Nëse do të shtohej dhe premiumi, çmimi minimalisht sot do të rritej me 8 lekë për litër. Kjo është situata reale me kontabilitet dhe kjo është mënyra për të bërë transparencë. Kjo situatë është në dëm të kompanive, duke i detyruar të përdorin lloj metodash për të mbijetuar në treg.
Por cilat janë rrugët për të zbritur çmimin e karburanteve. Ekspertët thonë se dy janë mundësitë: E para përmes uljes së taksave, që sot përbëjnë rreth 60 për qind të çmimit. E dyta kush gjetja e një mënyre që të sjellë një ofertë të re në treg, me çmime më të lira.

Ekspertët që merren me blerjen dhe shitjen e karburanteve ngulin këmbë, se ndërhyrja e Bordit në çmime nuk u lë hapësira kompanive që të manovorojnë me blerjet, pasi askush nuk blen përtej nevojave ditore, duke sjellë në treg efektin e kundërt, pasi çmimet do të ishin më të lira nëse Bordi nuk do të ndërhynte./TopNews

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 55520 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE