Regjistrimet online për klasat e para dhe të dhjeta, faza e dytë me 15-25 gusht!

vovalbania August 08, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Regjistrimet online për klasat e para dhe të dhjeta, faza e dytë me 15-25 gusht!

Zyra vendore arsimore e Fierit është e para që ka njoftuar prindërit përmes rrjeteve sociale se do të rihapet sistemi e-Albania për të kryer regjistrimet në klasë të parë dhe në klasë të dhjetë, për shkak të numrit të ulët të aplikimeve që pati përgjatë muajit korrik.

Kjo fazë e re do të zgjas nga data 15-25 gusht. Por teksa drejtoria rajonale e arsimit parauniversitar qarku fier ka njoftuar prindërit për këtë fazë të re aplikimesh, shkollat e qarqeve të tjera të Shqipërisë ende nuk kanë një njoftim zyrtar që tua përcjellin prindërve.

Pas interesit të Top Channel, Ministria e Arsimit konfirmon se fëmijët që nuk janë regjistruar ende do u jepet një mundësi e dytë 10 ditore, në mes të gushtit nga data 15-25, pasi në klasat e para janë regjistruar vetëm 70% e fëmijëve, ndërsa në klasat e 10 edhe më pak, 60% e nxënësve. Ky është viti i parë që aplikimet kryhen online në të gjithë Shqipërisë, ndryshe nga vjet që u përqendrua si projekt pilot në shkollat e qyteteve. Por familjarët në periferi në mungesë të kushteve po hasin sërish vështirësi me përdorimin e internetit, e kjo situatë është shfrytëzuar nga kancelaritë të cilat ofrojnë me pagesë kryerjen e shërbimeve në e-Albania.

“Ja unë këtë telefon të thjesht kam. Nuk jemi të përgatitur për online ne, jemi mbrapa me internetin”, shprehen prindërit.

Pavarësisht problematikave, ministria e arsimit është e bindur për të vijuar këtë metodë aplikimi, në përpjekje për të digjitalizuar shkollat.

“Regjistrimet do të jenë vetëm online, por prindërit do të asistohen nga mësuesit dhe drejtuesit e shkollave nëse do të kenë nevojë. Nuk do të lemë asnjë nxënës pa regjistruar, por regjistrimet do të jenë online”, thotë Ministria e Arsimit.

Por ndryshe nga Ministria e Arsimit e cila duket e prerë se regjistrimet do të kryhen vetëm online përmes sistemit e-Albania, ndryshe ndodh në shkollën 9-vjecare Naim Frashëri të fierit ku lexohet në njoftim se regjistrimet kanë nisur fizikisht që në datën 15 qershor e do të zgjasin deri në ditët e para të fillimit të vitit të ri mësimor, duke paraqitur certifikatë personale të fëmijës, vërtetim të vaksinës dhe që ka ndjekur kopshtin.

Ky vendim i afishuar në dritaret e kësaj shkolle, sipas drejtoreshës Albertina Ceco,  bazohet në rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare të miratuar nga ish- ministrja Besa Shahini ku përcaktohet se fëmijët e moshës 6 vjeç e kanë detyrim të regjistrohen në klasë të parë në dy javët e fundit të muajit qershor.

Mirëpo edhe pse ka mospërputhje njoftimesh mes institucioneve arsimore dhe ministrisë së arsimit, ajo që garantohet është se deri në nisje të vitit të ri shkollor qoftë online apo fizikisht, nuk do të humbasë asnjë fëmijë shkollën për shkak të procedurave.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 55495 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE