Vazhdon “zhurma politike” në Britani për emigrantët shqiptarë me gomone!
Deputetët britanikë u bënë thirrje ministrave, të dyfishojnë përpjekjet për të deportuar emigrantët në Ruandë, pas një rritjeje të numrit të shqiptarëve që përdorin gomone për të hyrë në Britani. Shifrat e zbuluara tregojnë se emigrantët nga vendi ballkanik, anëtar i NATO-s e që dëshiron të anëtarësohet në BE, tani përbëjnë katër në dhjetë të ardhur nga Franca veriore. Përshkallëzimi bëri që 1 mijë e 75 shqiptarë të mbërrinin në Britaninë e Madhe me gomone dhe varka të vogla brenda gjashtë javëve, deri më 12 korrik. Për këtë periudhë, ata përfaqësojnë 37.5% të të gjithë emigrantëve të trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar me gomone nga bandat, duke lënë pas të gjitha kombësitë e tjera, përfshirë këtu afganët, iranianët, irakenët e sirianët.
Mbështetësit konservatorë i bënë thirrje kryeministrit të ardhshëm që të veprojë urgjentisht. Deputetja Natalie Elphicke:
Eshtë e qartë se shumë shqiptarë që vijnë në MB me varka të vogla nuk po ikin nga lufta apo persekutimi, ata janë emigrantë ekonomikë. Ky është një kriminalitet flagrant dhe nënvizon urgjencën për të vazhduar me Ruandën e skema të ngjashme.
Tom Hunt, një tjetër deputet konservator deklaroi:
Legjislacioni për të realizuar skemën e Ruandës duhet të jetë në krye të “tabakasë” kur Parlamenti të mblidhet pas pushimeve verore.
Një burim në fushatën e Liz Truss-it për të marrë drejtimin e konservatorëve britanikë, deklaroi:
Liz ka një plan për të zgjeruar forcën kufitare, për të siguruar që Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut të funksionojë për Britaninë dhe të reformojë ligjet moderne të skllavërisë. Nevoja për parandalim është thelbësore, prandaj ne do të sigurojmë që marrëveshja e emigracionit me Ruandën të funksionojë e të kërkojmë të arrijmë marrëveshje të tjera.
Një zëdhënës i fushatës së Rishi Sunak-ut tha se “ndalimi i kalimeve do të ishte një përparësi kryesore për të”:
Eshtë krejtësisht e papranueshme që emigrantët nga vende paqësore, si Shqipëria, po përpiqen të hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Home Office nuk ka dhënë një shpjegim për rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë, ndërsa Richard Tice nga Reform UK, tha:
Nëse këta njerëz nuk po ikin me të vërtetë për të shpëtuar jetën e tyre, atëherë nuk i takon taksapaguesve britanikë t’i mbështesin ata.
Clare Moseley, nga shoqata e refugjatëve Care4Calais:
Dëshmitë tregojnë qartë se vitet e fundit, shumica e njerëzve që kalonin Kanalin ishin refugjatë të vërtetë. Nëse ka pasur një ndryshim, duket se suksesi i kalimeve me gomone po ndikon në sjelljen e trafikantëve.
Një zëdhënës i qeverisë theksoi:
Rritja e kalimeve të rrezikshme të Kanalit është e papranueshme. Akti i Kombësisë dhe Kufijve e bën një vepër penale mbërritjen me vetëdije në MB ilegalisht dhe ne kemi futur dënime të përjetshme për ata që lehtësojnë hyrjen e paligjshme në vend.