Merret vendimi, caktohet data e nisjes së vitit të ri akademik!
Ministria e Arsimit dhe Sportit informoi sot se viti akademik 2022-2023 në institucionet e arsimit të lartë do të nisë në datën 17 tetor 2022 dhe do të mbarojë në datën 29 shtator 2023.
MAS kërkoi nga institucionet publike të arsimit të lartë që në përfundim të regjistrimit të kandidatëve fitues, të dërgojnë në të gjitha ndërmarrjet “Trajtimi i studentëve” sh.a., listën e studentëve të regjistruar sipas programeve të studimit dhe fakulteteve përkatëse.
Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Arsimit dhe Sportit, Qendra e Shërbimeve Arsimore si dhe institucionet e arsimit të lartë. 21 mijë maturantë do të ulen në auditoret e universiteteve shqiptare në vitin akademik 2022-2023.
Sezoni 2021-2022
Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2021-2022, morën pjesë 73 mijë e 493 studente femra, ose 59,3 për qind e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë.
Kurse në programet Bachelor, për të njëjtën periudhë, kanë marrë pjesë në arsimin e lartë 72 mijë e 852 studentë, duke shënuar një ulje prej 2,1 për qind krahasuar me periudhën 2020-2021.
Analizuar për secilën fushë studimi, krahasuar me vitin e kaluar akademik, është vërejtur ulje e numrit të studentëve që ndjekin arsimin e lartë në fushat “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” me 19,9 për qind dhe “Arte dhe shkenca humane” me 13,1 për qind.
Nga ana tjetër, fushat “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” dhe “Shëndet dhe mirëqenie” paraqesin rritje të numrit të studentëve me përkatësisht 9,8 për qind dhe 4,4 për qind.
Mbi 21 mijë maturantë kanë aplikuar për të ndjekur studimet e larta në Shqipëri. Pas mbylljes së procesit të përzgjedhjes së degëve në formularin A2, ekspertë në Ministrinë e Arsimit tregojnë se cilat janë programet më të preferuara nga të rinjtë.