Vijon ofensiva ruse në lindje të Ukrainës/Shqetësim për Zaporizhjan!

vovalbania August 09, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Vijon ofensiva ruse në lindje të Ukrainës/Shqetësim për Zaporizhjan!

Sipas ushtrisë ukrainase, “ofensiva ruse është duke vazhduar drejt qyteteve Bakmut e Avdjivka në rajonin lindor të Donjeckut”.

Armiku është duke tentuar të shkaktojë humbje maksimale te forcat ukrainase. Forcat ajrore ruse janë duke bombarduar objekte ushtarake në drejtim të Donjeckut, për të mbështetur operacionet tokësore, që të zhvendosin njësitet ukrainase nga linjat e frontit.

Inteligjenca britanike paralajmëron se Rusia po përdor mina kundër personelit, me qëllim ruajtjen e pikave ku janë të vendosura trupat e saj në Donbas. Raportimet për fushëbetejën nga të dyja palët, janë vështirë të kontrollueshme.

Ndërkohë, vëmendja e faktorëve ndërkombëtarë vazhdon të jetë te bombardimet në centralin bërthamor të Zaporizhjas, për shkak të rrezikut të ndonjë katastrofe. Në Zaporizhja gjendet impianti më i madh bërthamor në Europë. Ky qytet ka rënë në duart e forcave ruse në fillim të luftës në Ukrainë, por centrali bërthamor vazhdon të kontrollet nga stafi ukrainas.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, theksoi se “çdo sulm në centralin bërthamor përbën hap vetëvrasës”. Zyrtari i lartë i OKB-së bëri thirrje që inspektorët ndërkombëtarë të kenë akses në Zaporizhja. Ndërkohë, administrata lokale, e instaluar në këtë qytet nga Rusia, është cituar të ketë thënë për agjencinë ruse të lajmeve, Interfax se “centrali është duke funksionuar në gjendje normale”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ndryshe nga Perëndimi, Moska i mbetet qëndrimit se ky është “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi u kundërpërgjigj ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Moska njofton se një raketë ruse lëshoi me sukses një satelit iranian në Hapësirë, ndërsa përballë sanksioneve të Perëndimit, Rusia dhe Irani synojnë të krijojnë lidhje më të forta. Sateliti “Khayyam” u lançua përmes raketës “Soyuz” nga stacioni Bajkonur në Kazakistan. Lajmin e konfirmoi Agjencia ruse e Hapësirës.

Republika Islamike hedh poshtë pretendimet se sateliti iranian mund të përdoret nga Moska për të rritur kapacitetet e inteligjencës për Ukrainën. Javën e kaluar, e përditshmja Uashington Post, raportoi se zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar për bashkëpunimin hapësinor mes Rusisë e Iranit. Sipas tyre, sateliti do t’i ofrojë Iranit “kapacitete të pashembullta”, për të vëzhguar shënjestrat ushtarake në Izrael e Lindje të Mesme, përveçse favorizon Moskën në pushtimin e Ukrainës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47829 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE