Tajvani i alarmuar nga mundësia e pushtimit nga Kina!
Ministri i Jashtëm tajvanez, Joseph Wu, deklaroi sot se “Kina është duke shfrytëzuar stërvitjet ushtarake, si përgatitje për pushtimin e Tajvanit”. Pekini ka nisur stërvitje ushtarake, pas vizitës që zhvilloi në këtë ishull kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, Nancy Pelosi.
Wu bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare, me qëllim që të mbrohet paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit. Kina është duke kryer stërvitje të shkallës së gjerë, po lëshon raketa, si dhe po kryen sulme kibernetike e fushatë dezinformuese, në përpjekje për të dobësuar moralin publik në Tajvan.
Tajvanin, Kina e konsideron provincë të vetën që do të aneksohet edhe me forcë, në rast se është e nevojshme. Ditët e fundit, vendi aziatik po zhvillon stërvitjet më të mëdha të mbajtura ndonjëherë pranë Tajvanit. Në to janë përfshirë hedhëse të raketave balistike dhe simulime të sulmeve ajrore e detare. Një ditë më parë, Komanda lindore e Kinës bëri të ditura manovra të reja, duke rritur shqetësimet se Pekini synon të rrisë presionin mbi ishull.
Ndërkohë sot, edhe Tajvani nisi stërvitjet e veta ushtarake. Presidenti amerikan, Joe Biden tha dje se është i shqetësuar për veprimet e Kinës, por shtoi se “nuk beson se kinezët do të bëjnë diçka më shumë nga sa po bëjnë aktualisht”.
Pas përfundimit të vizitës pesëditore në rajon, zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, deklaroi:
E ardhmja do të shkruhet këtu në Paqësor!
Raportet mes Kinës dhe Tajvanit
Përse Kina dhe Tajvani kanë marrëdhënie të tensionuara? Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile në vitin 1940, por Pekini insiston se ishulli do t’i kthehet.
Si qeveriset Tajvani? Ky ishull ka Kushtetutën e tij, liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe rreth 300 mijë trupa aktive ushtarake në mesin e forcave të armatosura.
Kush e njeh Tajvanin? Vetëm pak vende. Shtetet e Bashkuara nuk kanë lidhje zyrtare me Tajvanin, por kanë një ligj që përcakton dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për t’u mbrojtur.