Shqipëria i lufton zjarret me pajisje të 50 viteve më parë!
Ndërsa zjarret vazhdojnë të përpijnë qindra hektarë pyje në vend, një situatë që kërkon gatishmëri në terren, përballja me flakët sfidohet edhe nga mungesa e mjeteve të duhura për t’iu përgjigjur emergjencave civile. Një shkrim i Radios Evropa e Lirë, kushtuar kësaj problematike, sjell në vëmendje e deklaratën e kryeministrit Rama pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 kur ndërsa shprehej se “fatkeqësia natyrore na zuri të papërgatitur”, u zotua se do të ketë investime për Emergjencat Civile.
Por, më shumë se dy vjet më vonë, ky shërbim i rëndësishëm punon me një numër të kufizuar zjarrfikësish për numër banorësh dhe me mjete të amortizuara e të vjetërsuara. Ky fakt pohohet edhe në raportin diagnostikues të Bankës Botërore mbi “Vlerësimin e përgatitjes dhe të përgjigjes ndaj emergjencave” në Ballkanin Perëndimor. Për Shqipërinë thuhet se “është e papërgatitur për t’iu përgjigjur emergjencave civile, të tilla si tërmete, zjarre në pyje e rrëshqitje toke”.
Sistemit të përgatitjes dhe përgjigjes ndaj emergjencave civile i mungon baza operacionale për të pasur efektivitet dhe përgjigje ndërinstitucionale ndaj fatkeqësive natyrore në shkallë të gjerë.
Zjarrfikësit në Shqipëri me paga të ulëta
Për kryetarin e Sindikatës së Zjarrfikësve në Shqipëri, Bledar Bajramaj, “është absurde gjendja ku ndodhen zjarrfikësit”. Për Radion Evropa e Lirë, ai deklaroi se “përveç mungesës së kushteve e pajisjeve për punë, zjarrfikësit shqiptarë i kanë edhe pagat e ulëta”.
Paga bazë e një punonjësi zjarrfikës në Shqipëri është 36 mijë lekë (298 euro). Sipas të dhënave, në Kosovë një zjarrfikës i nivelit bazë paguhet 399 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 416 euro.
Mjafton të krahasosh pagat e zjarrfikësve në Shqipëri me ato të rajonit. Në vendet e rajonit marrin 200 euro më shumë. I kemi bërë kërkesë Ministrisë së Brendshme, e cila u miratua nga komisioni dhe u dorëzua draft-VKM/ja (Vendimi i Këshillit të Ministrave), por nuk u mor më asnjë me të. Ministria e Brendshme, përgjegjëse për zjarrfikësit, e miratoi rritjen e pagës, por Qeveria nuk e rrit.
Në disa rrethe, kushtet e zjarrfikësve janë skandaloze, si kushte pune dhe kushte qëndrimi. Mjafton të marrim në konsideratë faktin që akoma në rrethe ka mjete zjarrfikëse të para 40 apo 50 vjetëve. Në shumë bashki të vendit, në raste aksidentesh që duhet t’u vijnë në ndihmë qytetarëve, nuk i kanë pajisjet.
Radio Evropa e Lirë pyeti Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) për investimet e kryera në dy vitet e fundit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.
Më 13 qershor të këtij viti, Shqipëria aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar në Mekanizmin e Bashkimit Europian për Mbrojtjen Civile. E themeluar në vitin 2001, kjo strukturë përbëhet nga 33 vende, 27 shtete anëtare të BE-së dhe gjashtë vende si Turqia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Islanda e Mali i Zi.
Mekanizmi i Mbrojtjes Civile synon të forcojë bashkëpunimin midis vendeve anëtare të BE -së dhe atyre pjesëmarrëse në mbrojtjen civile, për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore.
Themelues i Agjencisë është Komisioni Europian, i cili luan rol kyç në koordinimin e reagimit ndaj katastrofave, duke kontribuar me mbi 75 për qind të kostove të transportit. Në të gjithë historikun prej dy dekadash, mekanizmi është përdorur për përballimin e më shumë se 540 emergjencave civile, kryesisht zjarre e përmbytje, por edhe tërmete. Me përjashtim të Bosnjës, Shqipëria është vendi i fundit që ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Mekanizmin e Bashkimit Europian për Mbrojtjen Civile.
Vetëm gjatë muajit korrik, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së është aktivizuar katër herë, për luftimin e zjarreve në Shqipëri dhe ndihmoi në dërgimin e avionëve zjarrfikës nga Greqia në vendin tonë. Disa nga këta avionë janë pjesë e flotës së përbashkët të zjarrfikësve të BE-së, “rescEU”.