Flakët në Francë bëjnë bashkë zjarrfikësit europianë!

vovalbania August 12, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Flakët në Francë bëjnë bashkë zjarrfikësit europianë!

Zjarrfikës nga mbarë Europa filluan të shkojnë në Francë për të ndihmuar në shuarjen e disa prej zjarreve më të egër. Franca po përballet me flakë të mëdha, në veçanti me disa vatra gjigante në pyjet në jugperëndim të vendit. Brigada e zjarrfikësve nga rajoni francez Zhironde, tha se gjatë natës arritën të kufizojnë disi përhapjen e zjarreve pyjore, për shkak se pati më pak erë, një element që bashkë me temperaturat e larta, ndikon ndjeshëm në zgjerimin e zonës së zjarreve. Por pavarësisht kësaj, kushtet atmosferike për vënien e tyre nën kontroll, ende janë “të pafavorshme”, si rezultat i motit të nxehtë e të thatë.

Që nga e dita e martë, pra prej datës 9 gusht, zjarret në rajonet Zhironde e Landes kanë shkatërruar një sipërfaqe prej më shumë se 74 kilometrash katrorë. Për shkak të tyre, të paktën 10 mijë persona janë evakuuar prej banesave, nga këto dy rajone franceze.

Konfirmohet se mbi 360 zjarrfikës e 100 makina të specializuara u dërguan në Francë nga Gjermania, Rumania, Polonia e Austria, që të katërta vende të Bashkimit Europian. Misioni i tyre është t’iu bashkohen mbi një mijë zjarrfikësve francezë, të cilët po luftojnë me zjarret pyjore, duke tentuar që pas lokalizimit të bëjnë shuarjen e plotë të tyre. Përballë emergjencës, edhe Greqia, tjetër shtet i BE-së njoftoi dërgimin e dy avionëve për shuarjen e zjarreve.

Po ashtu, Suedia dërgoi dy avionë që përpjekjet për shuarjen e disa vatrave i kanë përqendruar në rajonin Bretanjë, në perëndim të shtetit francez. Si çdo sezon veror, emergjenca e zjarreve nuk kursen as Shqipërinë e ku 24 orët e fundit u raportuan 25 vatra, disa prej të cilave ende janë aktive:

Aktualisht janë aktive vatrat në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, kjo vatër është riaktivizuar sërish ditën e djeshme, vijon angazhimi i forcave të shërbimit zjarrfikës për izolimin e saj. Në fshatin Mal Bardhë, bashkia Kurbin, janë angazhuar forcat e pushtetit vendor për izolimin dhe mbajtjen nën kontroll të vatrës. Në fshatin Tunjë, bashkia Gramsh, intensiteti i të cilit ka rënë ditën e sotme, janë angazhuar ditën e sotme forcat e shërbimit zjarrfikës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48251 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE