Shqipëria nën “darën” e shiut të verës/Rreshje intensive e ulje temperaturash!
Prej disa minutash, vendi ynë është përfshirë nga moti i keq, me reshje intensive shiu dhe erë. Parashikimet e motit e paralajmëruan se në pjesën e dytë të ditës do të na duhej të kishim çadrat me vete, lajme aspak të gëzueshme për pushuesit në plazhe. Por, “kapriçot” e motit nuk “pyesin”.
E ndërsa shi do të thotë edhe ulje e temperaturave e momente larg vapës përvëluese, sigurisht që ka edhe nga ata që i gëzohen reshjeve e freskisë së verës. Një zhvillim i shumëdëshiruar edhe për shuarjen e zjarreve ku çdo ditë luftohet me flakët për t’i vënë nën kontroll e më pas shuar plotësisht, edhe pse temperaturat e larta “fitojnë” se kanë kohën e favorizojnë përhapjen e tyre.
Nëse vijon kështu, jo keq për hidrocentralet dhe energjinë elektrike, në aspektin pozitiv, ndërsa në atë negativ, kemi përmbytjet. Por, të paktën deri tani nuk ka raportime për pasoja të përmbytjeve, mëse të zakonta në momente si këto dhe që vazhdimisht përbëjnë shqetësim po të risjellim ndërmend pamje nga vërshimet e ujërave.
Sipas shërbimit MeteoAlb, për sot, parashikohej që vendi ynë të ishte nën ndikimin e motit me vranësira, ndërsa ishte prania e lartë e lagështirës në ajër që krijoi mundësinë për reshje shiu, thuajse në të gjithë territorin. Rrebeshet janë më të dukshme në zonat malore. Ndërkaq, temperaturat variojnë nga 10-34 gradë celcius.