Konsiderohet si pica më e shtrenjtë në botë/ Me siguri do të kishit qejf ta provonit por jo ta blinit!
Pica “Louis XIII” (Luigji i 13-të) e shefit italian, Renato Viola konsiderohet si pica më e shtrenjtë në botë dhe kushton 8300 euro. Ajo përbëhet nga tre lloje havjari, karavidhe, cikada deti dhe disa pika konjak “Remy Martin Louis XIII”. Lajmi u bë i ditur nga botimi italian “Corriere della Sera”. Renato Viola është “pizza master chef” me origjinë nga Cilento. Ai zotëron “Mister O1 Extraordinary Pizza” e cila ka disa restorante në Florida, dy në Madrid dhe një në Riyadh të Arabisë Saudite. Renato Viola shpjegon në faqen e tij se çmimi i Louis XIII justifikohet nga përbërësit:
Është një picë me diametër 20 centimetra për dy persona, e bërë me një brumë mielli organik.
Në bazën e salcës janë mocarellat dhe tre lloje të ndryshme havjarësh, të vendosura mbi brumë në vend të domates. Pas bazës vazhdojmë me karkalecat e kuq të Acciaroli-t, një qytet i vogël bregdetar në provincën e Salerno-s, në Cilento. Pastaj karavidhe dhe cikada deti. Prekja e fundit jepet nga konjaku ekskluziv i Remy Martin Louis XIII, i cili i jep dhe emrin picës. Ky i fundit, është një konjak i prodhuar nga rajoni i Champagne-s. Konjaku konsiderohet ndër më të mirët në botë dhe Luigji i 13-të e rezervonte për raste shumë të veçanta. Për shembull, ai iu shërbye Mbretëreshës Elizabeth në pallatin e Versaille-s, për nder të vizitës së saj në Francë në vitin 1957.