Bombardime të reja në centralin bërthamor, Ukraina ngre alarmin!
Agjencia e inteligjencës në Ukrainë ngriti alarmin për sulme të reja ruse të shtunën në centralin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainën jugore që ndodhet nën kontrollin e rusëve. Edhe kryetari i bashkisë, i ndodhur jashtë qytetit, tha se ka pasur bombardime.
Kryebashkiaku i Enerhodar, Dmytro Orlov, i cili u evakuua në territorin e kontrolluar nga Kievi në prill, shkroi në Telegram se banorët vendas e kishin informuar për granatime të reja ruse në drejtim të zonës industriale të qytetit dhe uzinës bërthamore të Zaporizhzhia, të shtunën.
Nga ana tjetër, zyrtari lokal i instaluar nga Rusia, Vladimir Rogov shkroi në Telegram se forcat ukrainase po bombardonin centralin.
“Sipas dëshmitarëve, në qytet dëgjohen ende shpërthime,” tha Rogov, duke shtuar se disa predha kishin rënë në afërsi të termocentralit, pa specifikuar nëse ishte goditur territori i termocentralit.
Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar një tjetrën për sulmet në këtë termocentral. G7 i ka bërë thirrje Rusisë që të dorëzojë menjëherë kontrollin e centralit bërthamor të Zaporizhias dhe t’ia kalojë atë Ukrainës.