Për herë të parë në histori, pas 70 vitesh “Miss Universe” ndryshon rregullat e përzgjedhjes!
Pas më shumë se 70 vitesh, konkursi global i “Miss Universe” po bën ndryshime ‘gjithëpërfshirëse’ në procesin e përzgjedhjes. Duke filluar nga viti i ardhshëm, konkursi do të lejojë gratë dhe nënat e martuara të konkurrojnë. Në një deklaratë, përfaqësuesit e këtij konkursi u shprehën:
Ne të gjithë besojmë se gratë duhet të kenë liri mbi jetën e tyre dhe se vendimet personale të një njeriu nuk duhet të jenë pengesë për suksesin e tyre.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi për konkursin e 72-të të “Miss Universe” në 2023. Përpara ndryshimit, vetëm vajzat ndërmjet moshës 18 dhe 28 vjeçe, të cilat nuk ishin martuar kurrë dhe nuk kishin fëmijë, lejoheshin të konkurronin për “Miss Universe”.
Në bazë të Insider, grupi i moshës do të mbetet i njëjtë pavarësisht ndryshimeve të reja. Andrea Meza nga Meksika, e cila u kurorëzua “Miss Universe” në vitin 2020, tha se është dakord me rregullat e reja. Meza tha për mediat se:
Sinqerisht më pëlqen që kjo po ndodh. Ashtu si shoqëria ndryshon dhe gratë tani janë duke zënë pozita udhëheqëse ku në të kaluarën mundeshin vetëm burrat, ishte koha që konkurset të ndryshonin dhe të hapeshin për gratë me familje. Ka shumë gra që u martuan të reja ose patën fëmijë në fillim të të 20-ave dhe gjithmonë donin të merrnin pjesë në “Miss Universe”, por nuk mundën për shkak të rregullave. Tani ato gra mund të fillojnë ose të rrisin karrierën e tyre për shkak të këtyre ndryshimeve.
Konkursi “Miss Universe” i vitit të kaluar u fitua nga Harnaaz Sandhu nga India. Modelja 21-vjeçare nga Punjab përfaqësoi Indinë në konkursin e 70-të të “Miss Universe” të mbajtur në Eilat të Izraelit. Ajo solli në shtëpi kurorën 21 vjet pasi aktorja Lara Dutta fitoi titullin në vitin 2000.